Home Dikur/dje dhe sot/ Ah Gilan…! Jetë dhe kujtime – Lojërat fëmijërore në Çarshi mëhallë...

Ah Gilan…! Jetë dhe kujtime – Lojërat fëmijërore në Çarshi mëhallë – lagjja Çarshia /Kthimi në kohë – rrëfim i dr. Shevçetit/

216
0

Redaktoi për botim: Nexhat Buzuku /Arenapress.info/Arena Press/

Nëpër rrugët e jetës – aty ku ora e jetës nuk ndalet kurrë…!

Rrëfimi i radhës i dr. Shevçetit na sjell kujtimet nga jeta fëmjërore në lagjen e tij dhe përtej saj, lojërat që bënin atëherë, duke na rikthyer në një kohë ku ritmi i jetës ishte pa stres, pa i numëruar minutat, ku nga njëra shtëpi në tjetrën mund të kaloje lagjen pa dal fare në rrugë.
Doktori kujton kapixhikët që u shërbenin fëmijëve, sidomos për lojën symësheltas dhe të tjera, duke na sjellur plotë emocion e nostalgji, pasi atë ritëm jete e kanë kaluar dhe përjetuar brezat e asaj kohe.
Aq ishin të dhënë pas lojës sa ndonjëherë harronin për të ngrënë e për t’u kthyer në shtëpi…

Ah Gilan, ah zaman!


Të shkruaj për fëmjërinë tonë në Çarshi mëhallë me kujtohet Frederico Garsia Lorca, shkrimtari spanjoll i vrarë nga frankistët që ka thënë: “Çdo nënë ka gjak për 4-5 fëmijë, e kur nuk ka më, nëna shndërrohet në peshk”. Nëna ime Fetije, e cila ishte jetime, kishte 6 fëmijë, katër djem dhe dy vajza, por edhe nënat në mëhallën time kishin nga një tubë fëmijësh. Shtëpitë ishin plotë fëmijë, mëhalla jonë kishte plotë fëmijë. Ishte kopshti i mëhallës me ngjyra të fëmijëve, që kishin pantolonat me lecka, me këpucë ose çizme që i bartnim midis verës, pasi kushtet e jetës ishin të tilla. Babai im, i cili ishte kalldrëmxhi, që ishte shumë i qetë , thoshte: “Xheneti është nën këmbët e nënës!” , ashtu i kishte thënë babai i vet, pasi ai si katërvjeçar kishte mbetur jetim. Në mes të fëmijëve të mëhallës nuk kishte komplekse në lojëra në mes të femrave dhe meshkujve, të gjithë ishim një.
Më kujtohet të dielave kapnim fshesat e oborit, gjygymat me shoshë dhe i hynim të gjithë në mënyrë gjenerale të pastrojmë rrugën, përgatitnim terrenin për lojërat tona. Rruga ishte e shtruar me kalldrëmë në formë elipsoide, shitore në rrugë nuk kishte, automobil “Skoda” kishte vetëm Isa Ilijazi, ndonjëherë nëpër rrugë kalonte Xhura Tutiqi, i cili voziste drejtorin e Kombinatit të Duhanit. Në mes të shtëpive tona ishin muret e ulta nga çerpiqi. Çdo shtëpi kishte kapixhik që tregonte afërsinë shpirtërore në mes të fqinjëve, por këta kapixhikë neve na shërbenin edhe për lojërat si: symshelsa, rrak-qak-qak, duke kaluar prej një oborri në oborrin tjetër deri në qendër të qytetit dhe deri te shkolla “Musa Zajmi”.


Ah Gilan, e kaluara yte më ruan shumë kujtime…!

Pasi pastronim rrugën, luanim lojërat me arra në trekëndësh, ku Binazja dhe Mejremeja ishin pa konkurencë, ndërsa Hatixhja luante më tepër me meshkuj. Pastaj, arrat i zëvendësuam me ‘pupca’. Lojëra symshelsa dhe rrak-qak-qak, zakonisht, luanim para dhe pas iftarit gjatë Ramazanit. Më kujtohet shtylla elektrike te Devajët, që ende qëndron aty, për ne fëmijët e Çarshi mëhallës ishte qendra e botës. Shumë herë sjelljet tona ishin çapkënqe, duke shkulur edhe ndonjë varg duhani që ishte ngjitur në muret e mëhallës për t’u terur, për çka fitonim, ndonjëherë, ndonjë flakaresh nga prindërit. M’u kujtuan fjalët e Edgar Allan Po që ka thënë: Qyteku nuk është për fëmijë për t’i rrahur, pasi ata nuk janë biftek!”

Ah Gilan, ah zaman! Ah Gjilan, ah kohë! Koha shkruan jetën e kjo ruan gjurmët!

Filluam aksionin te mbeturinat e hedhura te Mulliri i Arapit, duke mbledhur kutitë e cigareve, kutitë e qibritave dhe luanim ‘rrupka -dupka’. Pastaj, aty ku ishte shtëpia e Ymer Brestovcit filluam të luajmë “guxha”, zakonisht Hakia, Mehmeti, Shema i Jusufit,Vukasi i Abdyl berberit, Duli i axhës Shefik të mulla Avdes. Luanim me orë të tëra, harronim që duhet me ngrënë, harronim të shkojmë në shtëpi, nga energjia fëmijërore që buronte nga serotonina e tepruar e trupit. Te çezmja e Asllan agës me dy llulla, që gjendej në udhëkryq, shkonim për të flladitur fytyrën. Një kohë mbushnim albumet me futbollistë, me kafshë të egra. Bënim shkëmbimin e tyrë për ta mbushur i pari albumin. Vajzat bënin me çeremidhe “çizgijat”, duke kërcyer, disa luanin kërcim me llastik, disa kërcenin me konop. Lojë e dashur e meshkujve dhe vajzave te Çarshi mëhallës ishte “mes dy zjarrëve”. Kështu, luanim, fare nuk kacafyteshimi, derisa prindërit na ftonin me ngrënë ushqim.


Ah Gilan, Ah zaman, sa shumë episode të bukura kishte ajo kohë…

Fëmijëria jonë ishte gjithnjë e kontrolluar nga prindërit. Domemos duhej me ndalë lojën kur kalonte ndonjë i moshuar, nëse kishte ndonjë qeskë duke bartur është dashur t’i ndihmojmë dëri në shtëpi, pasi për gjeste jo të duhura ngritej zëri i prindërve. Aty, para derës së Nexhat Pajazitit, që ishte nga Radivojci, luanim edhe “klicka-kuti”, luanim “çuksh”. Ndonjëherë, Ymer Brestovci na bërtiste, ndërsa bashkëshortja e tij, Naxhija, na ofronte ujë, tatlia, bukë. Shumë herë gjatë lojës te “klicka-kutit “i shkyenim pantolonat, pastaj duhej të qëndronim mbyllur në dhomë, derisa nëna ta gjëjë ndonjë copë harni për t’i qepur me dorë.

Luanim në sokak, vraponim djathtas-majtas, me një dorë copa e bukës së nxehtë me pasul. Kur isha në klasën e katërt të fillorës, për herë të parë fillova të luaj me top, me tepër te oborri i shkollës “Musa Zajmi”, me shoket e mëhallës. Fadili, Jashari, Shema i Malës, Vukasi, Skender Pira, Fehmiu i Hysen “gvozhxharit” ishin të rregullt. Por, gjatë lojës përjetonim edhe zhgënjim (qanim) pasi topi që binte te oborri i Ismet Shkodrës prehej me sakicë (sopatë), e njëta gjë ndodhte kur binte te oborri i Ymer Brestovcit. Ne i lutnim të na jepnin topin, ata e gjuanin topin në dy copa, kështu ne qanim dhe shanim. Ishte katastrofë për ne që mezi tubonim paratë për të blerë një top. Mëhalla ime i kishte dhënë shumë sportistë qytetit në futboll, hendboll.
Më kujtohet kur duke luajtur futboll u thye xhami i dritarës të axhës Emin, nga frika u fsheha dy ditë në shtëpi, fare nuk shkova në mësim. Pas dy dite e pashë se dritarja ishte mbyllur me gazetë, pasi atëherë vështirë ishte të sigurohet xhami. Shkova duke qajtur me i kërkue falje, por Faiku më përkëdheli dhe më tha: “Bëhu nxënës i mirë dhe futbollist si unë”.
Në fëmijërinë tonë kemi lujatur edhe me ciculka, duke vrapuar nëpër Çarshi mëhallë. Pastaj filluan edhe me tatalike, kur dilnim te livadhet e Agushagëve për ta ngritur në qiell. Më kujtohet si fëmijë sa vështirë siguronim letër, penjë kishte të duhanit sa të duash. Hypa në tavan, gjeta plotë para napoleona dhe prej tyre bëmë bishtin e gjatë të tatalikës.


Kështu kalova fëmijërinë time në Çarshi mëhallë sa isha në shkollën fillore, ndërsa dimrit me saj shkoja te sokaku u Caki Bivollarit, rrëshqitja me nallane që ia kisha marrë nënës sime, pasi më parë i kisha rrafshuar me sopatë. Shpeshherë me një saj të vogël shkoja edhe te bregu i Balecit për me rrëshqitë, ku takoja Azeminën, Fetijën, Hatixhën, Fahredinin. Shpesh nuk kisha mundësi të frenoja sajin, për çka zhytesha në lumin Dobrusha.

Ah Gilan, ah zaman, sa gjëra interesante të jep jeta!

Sa ditë i kam kaluar te parku i qytetit, te kombinati me shokët e mëhallës, ku babai im kishte arën që e mbillte me duhan, unë luaja futboll, mësoja me zë (lexja e përsërisja mësimin). Më kujtohen edhe momentet kur në këmbë shkonim te dajët e shokëve të fëmijërisë e në këmbë dhe natën ktheheshim në shtëpi, duke mos u frikësuar nga qentë. Shpesh fëmijët e mëhallës vizitonin Popovicën, ku vidhnim kajsia, kumbulla , rrush, ndërsa ne na ndjekte Canë Palamari, duke na gjuajtur me ‘revole- lodër me kripë. Sa lojëra kemi bërë pranë shitoreve ku ka qenë Shtëpia e Mallrave; sa lojëra kemi bërë te Stacioni i Autobusëve afër hotel “Evropa”; sa herë kemi hyrë në kanalizim të qytetit te Ura Masketarit; sa herë Panqa, Milaim Bullqi, Baci na hudhnin në bazenin e qytetit pa na pyetur a dijmë me notue.

Aleksandër Dima ka thënë: “Vepra më e mirë e imja është fëmija”. Babai im theksonte: “Lehtë është për gjyshin dhe gjyshen që kanë nipa, vështirë është për babën”. Këtë rrëfim -tekst do ta përmbylli me kompozitorin rus, Igor Stravinski, i cili ka thënë: “Muzikën time më së miri e kuptojnë fëmijët dhe kafshet!”.

Ah kohë…! Sa shpejt tretesh e sa të padukshëm e ke ritmin e jetës!

/Rrëfimi i dr. Shevqet Mehmetit/
/Përgatiti dhe redaktoi për shtyp: N.Buzuku, botues i portalit /Arenapress.info/Arena Press/
Nuk lejohet kopjimi i tekstit ose ribotimi pa leje të botuesit.

Arenapress.info/Arena Press/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here