Home Dikur/dje dhe sot/ Arti i qepjes hyri në çdo shtëpi – rrobaqepësit e rrobaqepëset që...

Arti i qepjes hyri në çdo shtëpi – rrobaqepësit e rrobaqepëset që bënë emër në Gjilan! /Kthimi në kohë… – Nga dr. Shevçeti/

321
0

Rrëfimi i dr. Shevçet Mehmetit na rikthen në kohë, në kohën kur rrobat ishin shumë kualitative, kur veshja ishte me stil dhe njerëzit e kohës dikur ishin elegantë.
Rrefimi na risjell në kujtesën tonë sot kujtimet e jetës të asaj kohe, rrobaqepësit meshkuj e femra, abaxhiun (zhgunarin) dhe jorganxhiun.
Ky rrëfim rikujton dyqanet e shumta të veshjeve të të gjitha moshave, të dy gjinive dhe për çdo stinë të vitit.
Ju kujtohet, sigurisht, gjenetatës së vjetër, ‘Napredaku’ i Gjakovës, në të cilin gjendeshin të gjitha llojet e veshjeve, Shtëpia e Mallrave, kati i dytë, etj, etj…

Nëpër rrugët e jetës – aty ku ora e jetës nuk ndalet kurrë…!


Para shumë viteve isha në banesën e Isa Gash, që kishte bërë regjinë e dramave të para në gjuhën shqipe dhe gjuhën turke me shoqatat artistike “Drita” dhe “Yeni Hayat”, ne vitin 1954. Ai më tregoi se pos regjisë që e kishte bërë Isa Gash, aktorëve që kishin dhënë kontributin e tyre, më përmendi edhe emrin e Jakup ‘Topallit’, i cili e kishte shtëpinë në ‘Karadak mëhallë’, që ishte prindi i mësimdhënësit Gani Gashit.
Jakupi kishte qenë abaxhi/ zhgunar/i njohur i Gilanit, që kishte përgatitur kostumet për dramën “Gjaku vlon”, dramë që kishte pasur premierën me 16. nëntor 1954. Jakup ‘Topalli’, pos që ishte mjeshtër i zhgunit, kishte pasur aftësi të bëjë qepjen e kostumeve të profileve të ndryshme, si veshjen e Jashar Jasharit, Ali Buhiqit, që ishin veshje polici, por edhe veshje të profesioneve të ndryshme. Jakupi nuk kishte pasur dyqan të vetin, por atë e zhvillonte në shtëpi.

Ah Gilan, ah zaman! Ah Gjilan, ah kohë!


Axha Jakup jorganxhiu, po ashtu, kishte shtëpinë në ‘Karadak mëhallë’, përballë shtëpisë së Aliut të Maliqajëve, ndërsa dyqanin e kishte në Çiflik mëhallë, afër Ramadan xhamxhiut. Pas këtij dyqani dikur ishte stacioni i policisë, kur unë isha fëmijë shpesh e vizitonte Cane Pallamari. Axhën Jakup Jorganxhiun e njihnin si gjakovali, ishte trupshkurtër, i plotë, me beretë në kokë. Si fëmijë shikoja me orë se si axha Jakup përgatitte jorganin, duke mbajtur në dorë gjilpërën e anash gërshërët. Ishte orator, tubonte në dyqan zanatlinjtë që kishte afër, ishte llafazan, plot me mesele. Punonte ulur, ndërsa blerësit zakonisht lajmëroheshin ditën e pazarit ose panaxhyrit për të blerë. Ishte mjeshtër i punës dhe tregtisë. Me mënyrën si i pritte blerësit, ishte tregtar që e hipnotizonte blerësin me fjalët të qëndisura për jorganin. Punonte edhe jastukë, më vonë filloi të përgatittë edhe shilte, pasi ato hynë në shtëpitë tona dhe përdorimi i tyre u bë modë, në rend të parë në dhomat e ndejës. Shokun e ngushtë e kishte Hamdi Saraqin dhe Shefikun e Mullaavdës.
Në vitet e 80 filloi përpunimi industrial i jorganave që filluan të tregtohen në dyqane e Ndërmarrja Shoqërore Tregtare “16 Nëntori”. Jakup jorganxhiu po plakej, dilloi pakësimi i myshterinjëve dhe kështu mbeti vetëm në kujtime jorganxhiu i vetëm dhe i fundit i Gilanit.
Veshjet nga zhguni u larguan, në vend të tyre filluan rrobaqepësit e Gilanit të hapnin dyqane.

Ah Gilan, ah zaman! Ah Gjilan, ah kohë!

Kursi i parë i rrobaqepësisë në Gilan ishte hapur me 1937 nga ana e gilanases Ilinka, që ishte bashkëshortja e Sterxhës, rrobaqepësit të njohur gilanas. Këta kishin dyqanin e rrobaqepësisë mbi shkollën “Vuk Karaxhiq” deri në fund të vitëve të 80, kur edhe mbyllën dyqanin. Mosha e tyre e bëri të veten.
Për çudi, makinat e sjellura “Singer” për qepje kishin qenë me rrymë, ndërsa në Gilan në atë kohë ende nuk ia kishte nisur punës fabrika e rrymës e familjes Arsiq. Një makinë e tillë “Singer” e vitit 1937 nga ky kurs gjendet në oborin tim, thotë dr. Shevçëti. Pastaj, rrobaqepës ishin Llazer Menkovi, Mirqe Dinçiq, ndërsa rrobaqepësi i parë shqiptar ishte Aliriza Shaqiri, djali i Kadri Kollarit. Aliriza ishte mjeshtër i rrobaqepësisë. Ndërsa, te femrat rrobaqepëset e para ishin Dana Simonoviq dhe Dubravka Apostoloviq nga ‘Çarshi mëhalla’, që kishin bë emër, ndërsa në kurset e tyre shumë femra ishin përgatitur për rrobaqepëse. Për meshkuj, zakonisht, qepeshin pantollone dhe sako, rrallëherë ndonjë palto e gjatë. Zakonisht qepnin byrokratët e qytetit, pasi në dyqanet e teksitili ende nuk kishte konfeksion, derisa u hapën “Beko”, ku punonte Toma Diçiqi, “Napredaku” i Gjakovës, ku punonte Ymer Brestovci dhe “Jadran Perasti”, ku punonte Raif Berisha.
Në rrugën për Varosh, në fillim ishte Mirqe Diçiqi, pastaj aty afër u hap dyqani “1 Maj” i Pirotit me konfeksion. Në rrugën për te shkollat e mesme dyqanin e kishte Enver Mustafa, afër shtëpisë të hendbollistit Durgut Abdullahut, Nazmiu nga Malisheva dhe Boshko Radançiqi.
Tutje dr. Shevçetit i kujtohet viti 1973, mbrëmja e maturës kur Enveri bëri qepjen e rrobëve të mia. Ishte hera e parë të vishem me rrobe të tilla. Ishte moment gëzimi, jo që po kryeja shkollën e mesme e të gëzohem, por fakti se si babai im kishte mbledhur paratë që të më gëzonte me këtë dhuratë. Ndërsa, Mahmut Sahit, e ka pasur punëtorinë e rrobaqepësisë te shkolla teknike.


Dana Simonoviq ishte mjaftë e kërkuar si rrobaqepëse. Mikereme Osmani, Sadete Godanca, Magbule Ibrahimi – ishin pioneret e para të rrobaqepësisë te popullsia muslimane. Sadetja , ishte motra e Rashit Godancës, kishte bërë emër, Mikëremja ishte vajza e axhës Durmish, e martuar për Tefik Osmanin, kishte aftësi kreative dhe mjaftë e kërkuar si rrobaqepëse.Vajza Vildanja është kretaore e njohur. Magbule Ibrahimi ende punon, edhe pse është në moshë të vjetër. Këto ishin të njohura për ‘petkat’ – rrobet e domosdoshme të nusërisë.
Me rrobaqepësi ishin marr edhe mësuesja ime nga mëhalla, Hatixhe Selimi, si dhe Ajshe Berisha, Xhylije Maloku, Ajsheja nga Velekinca, Lejla Beqiri, Qamilja nga Tërnovci. Femrat, zakonisht, zhvillonin zanatin në shtëpi. Qepnin fustanë, dimija, këmisha, punonin edhe punë dore, si shamija me oja, bënin trokitje. Rrrobaqepëset përgatitnin komplet pajën e nusërisë.
Në vitet e 70 ishte modë që çdo shtëpi të kishte nga një makinë qepëse “Bagat”, ose nuses t’i dëgohet në shtëpi një makinë qepëse. Nënat tona filluan për nevojat e veta të qepin ose të korrigjojnë rrobet vet. Kështu, me 1972 babai im bleu një makinë ‘Bagat” që sot është ende në shtëpinë time, si kujtim ndaj nënës sime.

Ah Gilan, ah zaman! Ah Gjilan, ah kohë!

Kështu, dita ditës metamorfoza e jetës sjell gjëra të reja, por jo të ëmbla, pasi nuk ka më dyqane ku sheh artin e qepjes, ku mund të shkëmbesh mendime për veshjen dikur, ku nuk ka më tregime të ëmbla që formojnë jetën shpirtërore.
Dyqanet dhe tregjet janë stërmbushur me veshje njëpërdorimshe, pasi për kualitetin e tyre nuk ia vlen në flitet.
Stili i jetës ka ndryshuar, por jetë me më pak frymarrje, me më pak entuziazëm…Nderkohë, brezat e rinj kanë filluar t’i kthehen modëës e stilit të dikurshëm të veshjes, pasi kishte më shumë estetike dhe etikë.


Ah kohë…! Sa shpejt tretesh e sa të padukshëm e ke ritmin e jetës!

/Përgatiti dhe redaktoi për shtyp: Nexhat Buzuku/
P.S. – Nuk lejohet kopjimi i tekstit ose ribotimi pa leje të botuesit.
/Çdo mosrespektim i këtij paralajmërimi sjell pasoja ligjore. Vetëm botuesi ka të drejtë të lejoj ose jo ribotimin e shkrimit diku tjetër. Teksti mund të shpërndahet, por jo të përvetësohet ose të ndryshohet./

/Arenapress.info/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here