Home Dikur/dje dhe sot/ ÇEZMET E QYTETIT TË GJILANIT – KUR ‘VDES’ NJË ÇEZME KA...

ÇEZMET E QYTETIT TË GJILANIT – KUR ‘VDES’ NJË ÇEZME KA VDEKUR SHPIRTI I NJERIUT ! /KTHIMI NË KOHË/

224
0

Para se ta rregulloni botën, rregulloni çezmen në banesën tuaj. Bota do të ishte më e lumtur, më e bukur, kur secili të kishte rregulluar çezmen e vet, ose dhëmbët e vet! – /D.R./

Rrëfimi për çezmët e qytetit dhe shatërvanët është njëra nga përshkrimet më të bukura, më jetësore që këtë herë e ka prezantuar dr. Shevqet Mehmeti.
Në këtë rrëfim dr. Shevqeti paraqet të gjitha çezmet e qytetit, dy shatërvanët dhe rëndësinë që kishin për jetën e qytetit, për banorët, për vizitorët. Ky rrëfim është më shumë se një rrëfim i zakontë për krojet e shumta që u ndërtuan dhe u shërbyen qytetarëve.
Ah Gilan, ah zaman! Sot je pa çezme publike, pa njerëz shpirtmirë, pa ujë, me bidona, me shpresë se do të bjerë shi, duke na fajësuar e mallkuar fëmijët tonë se prindërit janë bërë shpirtngushtë, e mendojnë vetëm për egoizmin e tyre se si me u pasurue, por nuk mendojnë për jetën tonë, për të sotmen e të ardhmen tonë, akuzojnë fëmijët!
Miss Pardo me 1835 ka thënë: “Kur vdes një çezme shënoni – këtu ka vdekur shpirti i njeriut!”

Gjilani dikur dhe sot – nëpër ngjyrat e kohës!


Gilanasit vendas kanë thënë: “Nëse nuk e di ku është Gillani nuk ka problem, nëse nuk e di ku është çezmja e Balecit je budallë!”


Po e shkruaj këtë evokacion në momentin kur qytetarët për çdo pikë shiu po gëzohen. Po shkruaj kur në shitore ka bidona me ujë që shiten, ndërsa në disa lagje të Gilanit ujë të pijshëm nuk ka me muaj; kur duhet të pastrohemi po e shikojmë ujin e kantave të rradhituara sikur brigada e shisheve që qëndrojnë gatitu para ushtarakut lakuriq që qëndron në vaskë (kadë) për ta kryer ritualin e larjes!


Vendosa të shkruaj për çezmet pasi lexova dy vitet e fundit për çezmet që njerëzit i kanë ndërtuar për ‘hajrat’, për ‘vakifname.’ Po shkruaj pasi lexova Omar Khajamin e “Rubairave” si përshkruan kulturën e ndërtimit të çezmeve, për vargjet e shkruara në çezme që ofrojnë biografi, antologji të emocioneve të personit që ka ndërtuar për vizionin e jetës.
Çezmet janë përshkruar nga shumë shkrimtarë, historianë; janë përshkruar nga piktorët, arkitektët. Pushkini shkruan për dashurinë në çezmen e Krimesë, duke shkruar për poezinë antologjike për një dashuri. Në një çezme shkruan: “Këtu, një mangup dhe kryetar ka pi uje!” Çezmet janë ndërtuar skaj rrugës nga prindërit tanë, nga nënat dhe motrat tona, për ta përkujtuar bujarinë e tyre shpirtërore.
“Kam vizituar shumë çezme në botë edhe me vlera të larta artistike, por edhe në ato që janë në rrugët e fshatrave tona në Anamoravë mund të lexosh epigrame që flasin qartë si uji i pastër kristal, që ta flladit shpirtin, epigrame si uji që të freskon e ta shuan etjen e lodhjes. Ndërtuesit e çezmeve kanë ndërtuar ato jo vetëm për njerëz kalimtarë, por edhe për kafshët, edhe për zogjtë. O sa bujari shpirtërore nga prindërit tanë, motrat tona, nënat tona…


Gilani sot kacafytet me mungesë të ujit, disa gëzohen kur bien disa pika shi, disa vetëm kur janë në siklet kërkojnë ndihmë nga Allahu, ndërsa vetë me duar në xhepa, me gjuhë stërpikëse arsyetojnë vehten!


Gilan, ku ishe me civilizim, ku je sot?!

Ku e le shpirtin tënd që ishte maxhe e emocioneve pozitive?! Në çdo rrugë kishe çezme edhe kur në vitin 1846 kishte 215 shtëpi, 1025 banorë, edhe me 1894 kur kishte 2700 banorë, edhe me 1948 kur kishte 8800 banorë, edhe me 1961 kur kishe 22000 banorë, ujë kishe mjaftë, kishe edhe për shtëpiakun dhe për kalimtarin, edhe për mirëmbajtjen e rrugëve dhe për zjarrfikës.
Hysen Milla – Pasha, që ishte pronar i shkollës së muzikës, me 1890 ndërtoi shumë çezme për ‘hajrat’, bile edhe në oborr të kishës së Shën Nikollës. Sahit Aga, që ishte nip Dobërçani, te Kufca e Poshtme ndërtoi çezme. Çezme në Gilan, në rrugën që shpie në drejtim të shkollave të mesme, kishte te ndërtesa e kajmekanit, e njohur më vonë si “çezmja e srezit”, pastaj te shtëpia e Buhiqëve, te shëpia e Agushagëve, te ‘Muhaxhirë mëhalla’. Çezme kishte edhe në ‘Atik mëhallë’, afër mejtepit të njohur me emrin “çezmja e Tuleshit”. Të gjitha ishin na formë kubi, me gura ta punuar, me nga nja llulla. Ishin ta larta 130 cm.


Kjo pjesë e qytetit furnizohej nga këto çezme. Ishin kënatat nga arxhili për mbushje. Atëherë nuk kishte kanta plastike. Currili i ujit ishte 24 orë. Në rrugën kryesore të të njëtës formë çezme kishte te Hamami i Hyrës, te tregu i gjelbërt, para hotel ‘Evropa’ dhe përballë kinemasë së qytetit.
Në rrugën e Varoshit këso çezme kishte te shtëpia e Dimiqëve përballë me kishen, te shtëpia e Magelanëve dhe te Laku për Baçevinë. Të gjitha këto çezme ishin një model, kishin gypat prej arxhilit. Por, Hysen Milla ndërtoi çezmen e njohur të Balecit, që kishte llullën e gjerë dhe kishte ritëm rrjedhjejë 24 orë. Uji ishte i ftohët sikur i frigoriferit. Kjo çezme ishte bërë mit, në rend të parë për banorët e Çarshi mëallë, Balecit dhe njëpjese të Varoshit.

Në kohën e Ramazanit, para iftarit, bëhet kolona e gjatë e të rinjve që pritnin rend, sa kënata thehej, sa fjalë dashurie shqiptoheshin, sa takime të dirigjuara në mes të rinjve bëheshin, sa dashuri kishin pikënisje te kjo çezme! Fehmi Çurri Nobërdaliu me bë shaka kishte dërguar me mbushë ujë me kënata pa fund, për ta përqeshur nipin e padegjeshëm.


Ah Gilan, ah zaman! Ah Gjilan, ah kohë!

Të shkruaj për çezmet e tua më nevojiten shumë faqe, por mundem pasi ato i kam përjetuar në shpirtin tim! Për balle Çezmës së Balecit, andej lumit Dobrusha me vite kam mësuar skaj lumit, me vite kemi mbjellur duhan, me vite kam ruajtur delet që babai im i prente per pastërma. Me vite, si fëmijë, ne të Çarshi mëhallës kemi përcjellur dashuriçkat e të rinjve te plepat. Sa here nga kodra e Balecit kam rrëshqitur dimrit mbi borë, duke ra në lumë, ndonjëherë edhe në govatën e çezmës! Sa herë kam flladitur fytyrën në vitet e 70 kur isha në gjimnaz, ose kur kam shikuar futboll pas vitit 1967.


Ah Gilan, ah zaman, zaman! Ah Gjilan, ah kohë o kohë!

Si mund të harroj çezmen e Asllan Agë Tokatit në mëhallën time, e cila kishte dy llulla. E ku Shema i Malës gjatë Ramazanit rrëshqitte me qëllim me pi ujë në kohë të Ramazanit se gjoja kjo lejohet nga Zoti. Kur dilnim jashtë qytetit, në vitet e 60, për të vizitiuar Muahmedin, shokun e klasës,vizitonim çezmen e Petogovcit aty në lugajë, ku i kishin tokat Dedovitët. Babai im, Ramushi, në vitet e 70 ndertoi çezmen te varret. Kur vizitonim varret kalonim në vitet 65 të shëpia e vetmuar në Çenar Çezme, ku ishte çezmja me një llullë. Kjo shtëpi Ishte deri vitin e kaluar, kur u shkatërrua. Shtëpi tjetër nuk kishte. Më vonë u ndërtua një han nga gurët e zinjë, ku sot është pompa e benzinës, që ishte e pa banuar.

Në vitet e 70 i larguan çezmet në formë të kubit, disa si në Deremëhallë, afër xhamisë, te tregu, te Hamami i Hyrës, ku më vonë ishte Shtëpia e Shëndetit dhe te ‘srezi’ i vunë çezmet e metalta, që ishin me pompim. Edhe ato me vonë i larguan. Me 1971 e larguan edhe çezmen te hotel Evropa, skaj lumit Dobrusha, skaj barakës ku shiteshin biletat e autobusit.

Qeveritarët m’i ‘vodhën’ kujtimet, ata kishin menduar vetëm për para, jo për kalimtarë. Nuk kishin pasur shpirt qytetarie, duke shkatërruar vendtakimet e dashurisë, me i shkatërrue botën emocionale të të rinjve, mos me mendue se një pikë ujë është më e madhe se një qeskë me dinarë.

Çezmja e Balecit ndërroi pozitën duke i falenduar Hafiz Xhaklit, ende rrjedh, ende flet me gjuhën e vjetër, jo me poezitë e dikurshme, por me një lirike të re, me nota tjera! Nuk e ka namin e vjetër, nuk ka më zë tenori si dikur, nuk është më vend kur derdhen fjalët e ëmbla të shpirtit. Bajrushi përballëçezmes së Asllan agës vendosi çezme me ujë nga ujësjellësi, ashtu edhe te teqeja ‘Halveti’.

Gilani kishte edhe bunain e Sutkës në Çarshi mëehallë ku zjarrfikësët mbushnin automjetet. Gilani kishte edhe dollapin për ujitje te farkatarët në rrugën e Malishevës, të njohur me emrin “Dollapi i Sava Bivollarit”, ku Halit Grainca me kalin e verbër aktivizonte dollapin për ujitje.


E, ç’kohë ishte kjo…

Gilani kishte edhe dy shatërvana. Shatërvanin në Atik xhami, pranë varreve të Hasan Ahmet Arabistanit, Ibrahim Dindarit, Adem efendiut dhe Abdyrrahim efendiut. Por edhe Shatërvanin e famshem te qytetit qe ishte pjese e xhamise Shehzade dhe Bezistanit.
Me 1878 këtu kishte mbajtur fjalim Radomir Putniku, me 28 janar. Me 1912 është bërë forotgrafia e famshme e Shatërvanit që ishte me qeremidhe, me ulëse. Për këtë Shatërvan ka thënje mitike: “Gilan, viran, tri mejhane nja dyqan, mos ta ishte shatervani nuk ishte ndigjue Gillani!”


Me 1922 çerkezët e Gilanit kanë komponuar këngën “Gilan shehri viran do të mbetet!” Notat e këtij kompozimi në stilin hixhaz gjenden tek unë (SHM).
E shkatërruan Shatërvanin me 1927. Shkatërruan emblemën e Gilanit. Sa dhembje ndjehet në këngë, sa takime të zejtarëve , të xhematit janë bërë në këtë Shatërvan, sa i pari jone ka falur vaktet duke marr abdes aty, në Shatervan.
“Gilan, unë ndiej dhembje, qelizat e mia trunore nuk po munden me durue dhembjen që ma përkujtojnë gilanasin e vjetër! Shoh foton e Shatërvanit të vjetër, ndiej dhembje, para syve lotët pikojnë… Pastaj, u ndërtue Shatërvani i ri brenda oborit të xhamisë,që kishte kupolën prej llamarine, kishte disa llulla, por edhe ate e larguan!


Dushko Radoviq shkruan: “Para se ta rregulloni botën, rregulloni çezmen në banesën tuaj. Bota do të ishte më e lumtur, më e bukur, kur secili të kishte rregulluar çezmen e vet, ose dhëmbët e vet!”

Ah Gilan, ah zaman! Sot je pa çezme publike, pa njerëz shpirtmirë, pa ujë, me bidona, me shpresë se do të bjerë shi, duke na fajësuar e mallkuar fëmijët tonë se prindërit janë bërë shpirtngushtë, e mendojnë vetëm për egoizmin e tyre se si me u pasurue, por nuk mendojnë për jetën tonë, për të sotmen e të ardhmen tonë, akuzojnë fëmijët!
Miss Pardo me 1835 ka thënë: “Kur vdes një çezme shënoni – ketu ka vdekur shpirti i njeriut!”

E vërteta ka një emër, ajo lexohet këtu në Arenapress.info/Arena Press/

/Autor i rrëfimit: Dr. Shevqet Mehmeti/
/Redaktor për shtyp: Nexhat Buzuku, botues i portalit informativ Arenapress.info/ Arena Press/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here