Home Kult/Arsim Drejtori Gagica me dedikim prekës dhe emocionues për maturantët

Drejtori Gagica me dedikim prekës dhe emocionues për maturantët

179
0


Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Gjilan, Nazim Gagica, sot, përmes një dedikimi prekës, ka uruar maturantët për Maturën, duke u dëshiruar suksese të reja dhe më të mirat që sjell jeta.


Në vazhdim postimi i plotë i Gagicës:

Të dashur maturantë!

Në rrethana të pazakonta ju po e mbyllni një cikël shkollimi. Të rrezikuar nga Covid 19 dhe të brengosur për më të dashurit tuaj, ju nuk u qeshi fati të ecnit rrugës së zakonshme të Maturës dhe të përjetoni gëzimin e të qenit MATURANTË. Sigurisht, edhe ne do të ishim bashkë me ju në këto fundfesta të zakonshme të Maturës, duke u gëzuar me ju teksa shijoni fundin e një faze; ndarjen nga një botë dhe hapin me plot pasiguri në një botë të re; teksa projektoni të ardhmen, përqafoheni me lotë gëzimi për rritën e lotë pikëllimi për ndarjen.

Edhe ne do të donim t”i shihnim festat, lotët, gëzimin, përqafimet dhe ëndrrat tuaja në këtë maturë tuajën.
Megjithkëtë, ju tashmë jeni të rritur dhe i kuptoni ligjësitë e jetës, edhe faktet kur kërcënohet ajo.

Ju tashmë do të hyni në një botë tjetër; në botën e të rriturve, dhe besoj tashmë i keni projektuar shtigjet nga do të shkelni. Nuk do të jetë e lehtë aspak, sepse e tillë është bukuria e të jetuarit, po unë shpreh besimin se ju tashmë jeni të përgatitur për të vazhduar para. Besoj shumë se bashkarisht ia kemi dalur këto vite. Ju na keni gëzuar e kënaqur me sukseset tuaja e ne jemi përpjekur t’ju drejtojmë drejt të tjera sukseseve. Besoj t’ia kemi dalur.

Të dashur maturantë!

Më lejoni që duke ju uruar për maturën t’ ju shpreh gjithë admirimin tim, gjithë besimin, dëshirat më të mira dhe më të mirin fat për secilin prej jush. Më lejoni, gjithashtu, të falënderoj edhe pedagogët tuaj e kujdestarët e klasëve për gjithë përkushtimin në këto vite që ju të jeni këta që jeni.

Edhe një detyrë të përbashkët do ta kemi – Testin e Maturës. Unë besoj shumë se do t’ia dilni, pavarësisht se muajt e fundit ishin shumë sfidues në të gjitha drejtimet.
Të dashur Maturantë!

Ju faleminderit për gëzimet e qeshjet tuaja; ju faleminderit për sukseset e përpjekjet; ju faleminderit për çastet plot lumturi e çastet sfiduese. I falemnderit Zotit që jeni këta që jeni.

Paçit bekimin e Zotit në rrugëtimin tuaj më tej ashtu siç keni gjithë besimin e dashurinë tonë. Ju priftë e mbara e fatbardhësia e sukseset ju përcjellshin kudo.
Gëzuar Maturën! Zoti ju bekoftë!, ka shkruar Gagica në urimin e tij përkushtues.

Arenapress.info/Arena Press/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here