Home Extra HOMAZH: Emri yt mësuesi Ramë ka hyrë në çdo shtëpi, emri dhe...

HOMAZH: Emri yt mësuesi Ramë ka hyrë në çdo shtëpi, emri dhe vepra yte ka mbetur në secilin ditar shkolle…

585
0

HOMAZH PËR MËSUESIN RAMË PIREVA
Emri yt mësuesi Ramë ka hyrë në çdo shtëpi, emri dhe vepra yte ka mbetur në secilin ditar shkolle…
/Mësuesi e kolegu im i punës në Shkollën e Tygjecit, Ramë Muharrem Pireva, u shua me 21 mars të këtij viti/


Një jetë të tërë mësues në Shkollën e Tygjecit, gjithmonë i urtë, me plotë energji e gjallëri në punë me nxënës, i afërt e bashkëpunues shembullor.
Ai qe një model i mësuesit, pa u vonuar kurrë, pa munguar kurrë, pa u ankuar kurrë…
A ke nevojë për ndihmë, a të mungon gjë…- më thoshte mësuesi Ramë derisa isha drejtor shkolle në Tygjec.
Kur e mora deryrën e drejtorit të shkollës, mësuesi Ramë u gëzua fort, mu afrua dhe më përqafoi: “Ti je i yni, nxënës i yni, gëzohem që nxënësi im tani do punojë me mua, do punojë me ne.”
Kur kisha nisur mësimin në shkollën e Tygjecit dhe kur shumëherë shkonim të lagur nga bora dhe shiu, mësuesi na përkëdhelte dhe na afronte te koftori për t’u ngrohur.
Nuk kisha parë deri atëherë një njeri kaq gjigant, me shtatë të lartë, i bukur, i ndërutar komplet në një personalitet që kishe dëshirë ta shikoje e dëgjoje. Me gjithë atë fuqi e energji djaloshare, një burrë që zotëronte lapsin dhe pushkën njëkohësisht.
Mësuesi Ramë kurrë nuk hoqi dorë nga profesioni i mësuesit. Ai ishte popullor dhe ishte i lumtur për punën që po bënte dhe e përmbylli misionin e tij 40-vjeçar në arsim. Ai u pensionua pak vite më parë.

I qetë, i urtë, i matur e i kulturuar, ai veç në arsim, një pjesë të kohës së jetës së tij e kaloi në veprimtari atdhetare për Kosovën.
Mësuesi Ramë ka qenë pjesë e organizimit të arsimit nën okupim në vitet 1990-99, ai ishte në strukturat komunale të arsimit në Kamenicë gjatë periudhës më të vështirë, pastaj edhe mbështetës aktiv i luftës për liri.

Ishte edhe drejtor shkolle në kohën e okupimit, kur arsimi po mbante gjallë qeniesinë tonë kombëtare, në kohën kur arsimi dhe shkolla shqipe përbënin esencën e ekzistencës sonë kombëtare, në qëndresën dhe ecjen për liri. Në ato vite të rënda nën peshën e sundimit të egër, mësuesi Ramë nuk pushoi kurrë duke bërë shumë punë njëkohësisht, atë të drejtorit të shkollës, atë të lidhjeve me strukturat komunale të arsimit shqip, atë me rezistencën që po rritej e forcohej dita-ditës.

Ai qe një lis që nuk e tundtte asnjë erë, ai kishte atribute të jashtëzakonshme të një njeriu që e karakterizonin dija, vendosmëria dhe guximi. Ai kreu shumë detyra të rëndësishme atdhetare. A kur merrte detyrat i çonte deri në fund dhe i kreu të gjitha ato që i mori dhe ia ngarkoi shoqëria e atdheu.

Kontributi i mësuesit Ramë në fushën e dijës dhe si atdhetar i devotshëm është i pamatshëm . Ai duke qenë me rrënjë familjare atdhetare, duke rrjedhur nga një familje e mirëqenë ekonomikisht nga puna në fshat, gjithmonë ka mbështetur të varfërit.
Duhet përmendur se mësuesi Ramë dhe familja e tij kishin odë në fshat, e cila ka pritur e përcjellur pafund njerëz e nvojtarë të shumtë.

Në vitin 1999 mësuesi Ramë me familje ka strehuar dhjetra familja të ikura nga shtëpitë e tyre në zona të ndryshme.

Pra, mësuesi Ramë veç që kreu misionin e tij në lartësinë e mësuesit të merituar, ai qe një atdhetar i përkushtuar në maksimum.
Mësuesi Ramë e mbylli udhëtimin e jetës, duke lënë prapa vetës shembullin e një njeriu model, i cili do të kujtohet brez pas brezi, jo vetëm nga familjarët por nga të gjithë ne.


Pusho i qetë mësuesi e kolegu im i përjetshëm, mësuesi Ramë!
Pusho në paqen e pasosun të universit yllnor të pafund!
Pusho aty ku udhëtimi yt dhe secili udhëtim do të përfundojë një ditë!
Ti ke hyrë në histori dhe aty do të jesh përgjithmonë, sepse emri yt ka hyrë në secilën shtëpi të malësisë e në qytet!
Ti ke mbetur në fletoret e nxënësve, mësuesi Ramë!
Ti ke mbetur në ditarët e nxënësve nëpër 40 vite udhëtim, mësuesi Ramë!
Ti, tashmë, ke mbetur një ditar i përjetshëm, ku emri yt është përjetësuar në secilin ditar klase në çdo vit shkollor!

Qoftshin të pavdekshme emri dhe vepra yte, mësuesi im!

Nexhat Buzuku

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here