Nazmije Xhaferi – Hasani
I M A Z H I N D R Y R Ë
( dedikuar motrës së vdekur)
Në kopshtin
E shtëpisë sonë,
Ti çele e fundit…
E mbushe me aromë,
E zbukurove dhe
Duke marrë me vete
Nektarin ëmbëlsues,
Ike që të ermosh
Mes engjujsh.
Acar i trishtë dhjetori,
Ta ngriu buzëqeshjen…
Gjaku tu bë kristal
Koloritësh të ndryshëm,
Për ta begatuar
Mozaikun e përjetësisë.
Kopshtin e gjymtove…
Misionin e lënë gjysmë,
Vazhduan sythat e tu që
Të mbrujtur nga ngrohtësia
E hirit tënd,
I shpëtuan brymës e acarit.
U rritën dhe shpërndanë
Aromën tënde
Duke e mbajtur të ndezur zjarrin;
Duke ruajtur ngrohtësinë
E votrës së trungut
Që jetën u fali.
Mua më shkurtove krahët e
Ma preve gëzimin.
Më le të vetme,
Në lumin e lotëve
Që janë shndërruar
Në oqean të trazuar.
Herë fundosem,
Herë dal në sipërfaqe,
E përplasur
Nga dallgët shkumbuese,
Pasqyrë e shpirtit tim.
Përpiqem të notoj
Po, nuk arrita të bëhem
Notuese e mirë.
Dallgët më hudhin
Sa andej, sa këndej
E kohë pas kohe,
Pushojnë bashkë me mua.
Larg njëra tjetrës
Një jetë njeriu,
Hija jote më qëndroi pranë.
E vetmuar ndjehesha sërish
E prushi në zemrër
Të fikur s’kish.
Unë gjysma tjetër
Shpejtoja hapin;
Të bëheshim një si dikur.
Siluetën tënde ime zemër,
Gdhendur e ka në skulpturë.
Nga tëra këto,
S’ më mbeti gjë tjetër,
Pos ta ndry’ në zemër
Imazhin tënd të vjetër.
E ta përkund…
Që të flejë i qetë,
Që të mos e humb.
10 tetor 2020
/Me këtë poezi autorja ka marrë pjesë në orën e madhe letrare, në kuadër të manifestimit ” Kultura na bashkon”, organizuar nga Shoqata e Shkrimtarëve “Feniks” për Preshevë, Bujanoc e Medvegjë./
Arena Press/arenapress.info/