Home Kult/Arsim Jasharaj kritikon DKA-të për moszëvendësim të mësimdhënësve të sëmurë

Jasharaj kritikon DKA-të për moszëvendësim të mësimdhënësve të sëmurë

120
0

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka kritikuar drejtoritë komunale të arsimit se nuk po ndërmarrin masa për të zëvendësuar mësimdhënësit e sëmurë dhe që potencialisht janë të rrezikuar më shumë se të tjerët nga COVID-19.

Jasharaj, në një intervistë në Interaktiv, thotë se Ministria e Arsimit ua ka dhënë këtë mundësi DKA-ve dhe ka ndarë buxhet për këtë punë, porse sipas tij ka hezitim.

Ai thotë se ka mësimdhënës me sëmundje shumë të rënda, që në kontaktin e parë me koronavirusin mund të pësojnë me jetë.

“Fatkeqësisht, disa DKA me apo pa qëllim po hezitojnë. Ky moszëvendësimi i kolegëve të sëmurë rëndë është johuman. Këta njerëz të obligohen të shkojnë në shkollë duke pasur sëmundje të rënda, siç është kanceri, pastaj ka me hemodializë e sëmundje tjera është jonjerëzore. Të tillët nëse janë në proces mësimor dhe nëse preken me COVID-19, dihet përfundimi, për ta do të jetë përfundim fatal dhe kjo do të ishte një e keqe shumë e madhe”, ka thënë Jasharaj.

Ai insiston se DKA-të kanë mundësi t’i zëvendësojnë këtë mësimdhënës që janë më tepër të rrezikuar për shkak të sëmundjeve shoqëruese.

“Ministria ka siguruar mjetet mjaftueshme për pagat e tyre dhe ka siguruar buxhet që në vend të tyre për këtë vit shkollor të angazhohen kuadrot e reja. Po ashtu janë siguruar edhe 500 norma, të cilat vlejnë, qoftë kur mësimdhënësve të caktuar iu shtohet angazhimi në punë, qoftë kur kolegët tanë do të jenë të shtrënguar t’i zëvendësojnë kolegët e prekur me COVID-19, derisa ata nuk shërohen”, ka shtuar Jasharaj.

Jasharaj ka thënë se pak para nisjes së mësimit është bërë testimi i rreth 1500 mësimdhënësve dhe se në koordinim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë dhe Ministrinë e Arsimit është vendosur që nëse paraqiten raste pozitive në shkolla duhet të merren task-forcat komunale për testimin e kolegëve të mësimdhënësve të prekur apo klasat nëse një nxënës rezulton pozitiv.

“Nga IKSHPK-ja do të kishim kërkuar testimin e të gjithë mësimdhënësve, por ata argumentuan se është e pamundshme sepse duhet testimi edhe i popullatës. Pastaj vendosën, në koordinim me Ministrinë e Arsimit, për një mostër prej 1500 testimeve për mësimdhënës dhe të jenë të gatshëm që kur paraqiten rastet në shkolla, IKSHPK-ja, gjegjësisht task-forcat komunale të organizohen e të bëhet testi edhe për kolegët tjerë të asaj shkolle. Nëse preket ndonjë nxënës bëhet testimi i tërë paraleles e kështu me radhë. Kjo situatë e tashme është me këtë numër, por është e qëndrueshme sepse pjesa dërmuese po funksionon, por uroj të mos shtohen numrat. Besoj se edhe MASH-i, edhe IKSHPK-ja, duhet të pajtohemi me vendimet që marrin për të parë dhe për të treguar çfarë të vendosim tutje”, ka deklaruar ai./KOHA.net/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here