Home Lajmet Kurti: Thaçi po mundohet të kapë trenin e fundit, por s’ka më...

Kurti: Thaçi po mundohet të kapë trenin e fundit, por s’ka më trena për të

137
0

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se vendimi i presidentit Hashim Thaçi, që t’ia japë mandatin për formimin e qeverisë së re cilësdo parti apo koalicion që dëshmon se ka shumicën në Kuvend, tregon se ai po mundohet “të kapë trenin e fundit”.

Megjithatë, sipas Kurtit, “s’ka më trena për presidentin”.

“Më datën 6 tetor ka ndodhur ndryshimi i madh. Ka dalë zogu nga lëvozhga, nuk kthehet më brenda. Presidentit i kanë mbetur edhe disa muaj mandat, dhe po dëshiron ta kapë trenin e fundit. Por i ka ikur edhe treni i fundit. S’ka më trena për presidentin. Këto përpjekje, këto orvatje antikushtetuese, vetëm sa e rrezikojnë rendin republikan e shtetin demokratik të Kosovës, por s’mund ta shtypin vullnetin e popullit e të na kthejnë para 6 tetorit. Më 25 mars u munduan të na kthejnë para 3 shkurtit, por nuk mund të ketë datë tjetër kur konjuktura e regjimit të vjetër bëhet bashkë si klub i stërvjetruar për të na kthyer para 6 tetorit. Është e pamundur”, ka thënë ai në konferencën për media.

Kurti ka thënë se për qeveri të re duhet të mbahen zgjedhje të reja, pas pandemisë.

Sipas tij, çdo vendim tjetër është “devijim i vullnetit të qytetarëve e tejkalim i kompetencave nga presidenti”.

“Do ta ndjekim me kujdes se çfarë do të ndodhë ditët e ardhshme e padyshim se do t’i drejtohemi edhe Gjykatës Kushtetuese posa të kalohet nga fjalët në tekste të shkruara”, ka thënë Kurti.

Kurti: Presidenti sot doli në ilegalitet, mundësinë ia dhanë krerët e LDK-së

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se presidenti Hashim Thaçi ka dalë në ilegalitet me vendimin që t’ia japë mandatin për formim të qeverisë së re, pa zgjedhje, cilësdo parti apo koalicion që dëshmon që ka shumicën në Kuvend.

Ai ka thënë se presidenti doli në ilegalitet me mundësinë e dhënë nga krerët e ish-partnerit, LDK-së.

“Presidenti sot doli në ilegalitet. Formalizimi i deklarimeve të sotme do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese. Presidentit këtë mundësi ia dhanë krerët e LDK-së, të cilët paraprakisht me vullnet braktisën çdo fjalë të thënë e dhënë ndaj qytetarëve e ndaj nesh. Me këso veprime e taktikash shpaloset përpjekja për të blerë ilegalisht kohën të cilën ua shkurtoi vullneti i qytetarëve”, ka thënë ai në një konferencë për media.

Kurti ka thënë se ky veprim i Thaçit nuk është në kompetencën e presidentit. Sipas tij, zgjedhjet është dashur të jenë opsioni i vetëm pas rrëzimit të qeverisë më 25 mars.

“Nuk është në kompetencën e presidentit të Kosovës vlerësimi i interesave të partive, por mbrojtja e interesit shtetëror. Çfarë rendi paskemi ne që t’i pyesim partitë si duan të procedojnë. Kjo që ka ndodhur është e paparë më herët dhe rrezikon seriozisht rendin tonë kushtetues. Pas mocionit të mosbesimit përmes të cilit u shkarkua qeveria, presidentit nuk i krijohet hapësirë të luajë rol të akterit politik. Zgjedhjet janë opsioni i vetëm”, ka thënë tutje ai./KOHA.net/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here