Home Dikur/dje dhe sot/ Kush ishte i riu nga Gjilani që u shpall studenti më i...

Kush ishte i riu nga Gjilani që u shpall studenti më i mirë i vitit në Beograd dhe mori çmimin e qytetit? /Rrëfim…/

264
0

Arena Press/Arenapress.info

/Kthimi në kohë/


Lexojeni rrugërimin jetësor të dr. Shevqet Mehmetit nga vitet studentore në Beograd, si i kalonte ditët e para, si rrodhën studimet e provimet, si u propozua dhe u shpall studenti më i mirë në Fakultetin e Mjekësisë, si u pranua në Institut për të punuar, si u kthye në Gjilan, kur dhe ku filloi punën e mjekut në Gjilan, kur ishte mjek në Kampionatin Botëror të Hendbollit në Gjilan, kush i propozoi që të bënte kërkesë për të vazhduar specializimin në Urologji, si ndodhi tragjedia nga shembja e ortekut të borës në Brezovicë dhe si i shpëtojë dy fëmijë…Kush ishin kolegët me të cilët u njoh dr.Shevqeti, kush ishin udhëheqësit e reparteve specialistike ne Spitalin e Gjilanit atëherë, etj, etj…
Dr. Shevqeti po i bën 35 vjet punë në urologji dhe 42 vite që kur nisi punën si mjek i përgjithshëm.

Lexoni, se ia vlen…


KUJTIMET NGA DITËT E PARA SI MJEK NË GILAN NË VITET 1978 -1981 DHE SHUMË EPISODE TJERA INTERESANTE NË RRUGËTIMIN JETËSOR TË Dr. SHEVQETIT SI STUDENT E SI MJEK…

Nëpër rrugët e jetës – aty ku ora e jetës nuk ndalet kurrë!

Në tavolinën time të punës në këto ditë izolimi plotë libra. Romani i Margaret Mitchell ” Kaloj kjo si erë” dhe botimi i fundit i librave të urologjisë të Cambpell dhe ëalsh. Këto ditë përgatita punimin shkencor “Anomalitë e veshkës në rajonin e Anamoravës në periodën 1986-2019”, ndërsa në kohët e intermecos lexoja librin e Margaret Mitchell. Më kujtohet se këtë film e kisha shikuar dy herë me Clark Gable dhe Viviene Leigh.

Kështu, kaluan 42 vite prej ditës së diplomimit në Fakultetin e Mjekësisë në Beograd me 1978. Fillova studimet me 1973, edhe ato vite studimi kaluan në fillim duke fjetur në stacionin e trenave deri në orën 03:00 të mëngjesit, derisa vinte pastruasja të na zgjojë, pasi duhej ta pastronte pritoren. Më kujtohet se në ditët e para ende pa filluar banimin në konvikt, në orët e mbrëmjes vëja nën kokë çantën për të fjetur. Pas orës tre deri në agim shëtitja me tranvajin numer 7 ku kotesha në gjumë.
Mësoja në bibliotekë deri në orët e vonshme për të ‘likviduar’ kolikfiumet. Të gjitha kalonin lehtë si një lugë mjaltë. Gjatë studimeve isha me shendet të dobët, kisha 49 kilogram. Dy vite fare nuk erdha në shtëpi. Provimet i eliminoja në afatin e majit si para afat dhe në qershor. Në vitin e tretë të studimeve, profesoresha e patofiziologjisë, Branka Stojanovic, i shkruan letër personale dekanit Mihajlo Çemerikiq të më ndahet bursa universitare, pasi notat ishin maksimale. Me 20 tetor 1976 shpallem student i vitit, njëherit fitues i “Dhuratës së Tetorit” të Beogradit, ku dhuratën dhe një shume parash m’i ndau kryetari i qytetit të Beogradit, Zhivorad Kovaqeviq. Provimi i fundit ishte lënda e kirurgjisë te komisioni numer 3 me 18 qershor 1978.

Pas diplomimit, prof. Barnka Stojanoviq më ftoi në punë në Institutin e Patofiziologjisë. Babai im, Ramushi, ishte njeri i pa shkollë. Pas një muaji e ftova që të vie në Beograd së bashku me nënën Fetije, që si dhuratë t’u blejë nga një palto në “Centrotekstil”. Babai im kishte shërbyer ushtar në Koshutnjak, një kohë, ndërsa nëna ime kurrë nuk e kishte vizituar Beogradin.


Në fund të shtatorit, me 1978, kisha një ‘randevu’ telefoni në posten numër 6. Nëna ime me thirri që të kthehem, se prindi është i sëmurë. Unë nuk parashikoja çka mëshëfet pas kësaj ftese. Dr. Jusuf Ismaili, stomatolog, ishte drejtor i Shtëpisë së Shëndetit në Gilan, me prindërit më kishin bërë ‘kurthë’ që mos të mbetem në Beograd. Kështu, me 1 tetor 1978 erdha në shtëpi. Babai im fillojë të qaj, duke më lutur që mos të kthehem në Beograd. Isha në ‘anestizion’!. Babai im kishte hequr shumë që të më shkollonte, ishte krenuar shumë me mua në Kombinatin e Tekstilit ku punonte, se e ka djalin student shumë të mirë.

Mbeta si cungu para prindit, nuk kisha njohuri që me dr. Jusufin kishte aranzhman (marrëveshje).
Mbeta në Gilan. E lajmërova profesoreshën time të respektuar prof. dr. Branka Stojanoviq, per vendimin tim.

Me 2 tetor 1978 ia fillova punes në Shtëpine e Shëndetit në Gjilan. Më priti në korridor dr. Jusufi, më prezantoi para motrave , kryeteknikut Xhylishenit dhe Ramilit. Ia fillova punës në ordinancën e dytë në katin e dytë. Isha i dobët me shëndet, pesha ime ishte 46 kg, askush nuk besonte se isha mjek. Pacientët në ditën e parë dilnin dhe hynin në ordinancë, nuk besonin se une dr. Shevqeti jam mjek. Nuk ua mbushja syrin me moshën time dhe peshën. fizike. Por, emri ishte i njohur si student i mirë.
Në Shtëpi të Shëndetit i gjeta dr. Xhevat Shkodrën, dr. Ymer Elezin, dr. Mehmedali Azemin, dr. Mile Milanoviqin, dr. Dragan Mihajloviqin dhe dr. Zoran Sharac. Në anën e majtë ishte shërbimi stomatologjik. Unë në këtë kohë shoqërohesha me dr. Xhevatin dhe dr. Mehmetaliun. Një herë në javë punonim në stacionet shëndetësore në fshatra. Stacione shëndetësore me 1978 kishte në Përlepnicë, Pogragjë, Zhegër, Shurdhan, Cërnicë, Bresalc.

***

Fillova të shkruaj punime shkencore. Kështu, isha në Kongresin e Mjekëve të Jugosllavisë në Prishtinë, Brezovicë, Strugë, Bled.
Me 1979, me kujtohet shiu që binte rrëke si lumë. Tërë gryka e Karadakut ishte i vërshuar. Rruga për Shurdhan ishte me baltë, autobusi qarkullonte një here në ditë. Na obliguan të bëjmë vaksinimin e popullsisë si preventivë kundër tifos. Vizitonim çdo shtëpi. Shaip Hamiti me ‘gazikë (xhip) mezi kalonte rrugës për shkak të kushteve të rënduara në rrugë nga reshjet. “Guri i plakës” qendronte gatitu, ndërsa shkolla në Haxh, në anën e djathtë ishte deri në kulm me ujë.

Ah Gilan, Ah zaman…! A Gjilan, ah kohë…!

Në muajin maj të vitit 1979 kalova si mjek sekondar në kirurgji, pasi dr. Remziu kishte nevojë për asistim në sallën operative. Kohe pas kohe punoja ambulancën specialistike. Në spital, atë vit, Reparti i Gjinekologjise dhe Akusherise ishte në katin e tretë, Interna ishte në katin e parë dhe të dytë majtas, ndërsa në katin e dyte djathtas ishte Kirurgjia. Fillova të fitojë përvojë të mirë në sallën operartive. Në këtë kohë në specializim erdhi dr. Nazmi Veseli, që kishte filluar kirurgjine makso-faciale. Në Repartin e Internos ishte dr. Zeqirija dhe dr. Pepi. Në repartin e Gjinekologjise dhe Akusherisë ishin dr. Ljubisha, dr. Vitko, dr. Naumi. Në Rerpartin e Mushkrive ishte dr. Asllan Elezi, ndërsa në Pediatri ishin dr. Trajko Mihajlovic dhe dr. Celakovska, në Infektivë ishte dr. Mile Aleksovski, dr. Ismaili ishte në specializim.

Me 1979 u mbajt Kampionati Boteror i Henbollit për femra në sallën e re sportive. Unë isha caktuar mjek i kampionatit. Ishte obligim i madh, aty ishte Rade anestezisti, motra Shpresa Mustafa, koordinator ishte dr. Boci. Në këtë kampionat, Svetlana Kitic u shpall hentbollistja më e mirë e botës.

Prof. Sava Peroviq, qe ishte asistenti im në urologji, emër me renome botërore, më kerKon me telefon dhe insiston që të bëjë kërkesë për specializin e urologjisë, nje degë e medicinës që nuk kishte qenë deri atëhere në Anamoravë.

Me 23 shkurt 1981, e diels, Rifat Shabani, Xhaviti, Musa, të tre profesorë të edukatës fizike më ftuan në skijim në Brezovicë. Ndodhi tragjedia, bie orteku i borës, ëolsvageni i Rifatit ishte shkatërruar në tërëi, vdiqën babë e djale të tre familjeve: Spahiu, Simnica dhe Havolli. Në qytet ishte përhapur lajmi se ne na ka mbuluar orteku. Ne shpëtuam. Të nesërmën në orën 16:45, nga një automobil që ka qenë i mbeshtetur për shpati, që e kishte mbuluar orteku i shpëtuam dy fëmijë. Në ditën e ortekut ekipet shpëtimtare 24 orë punuan pa ndalë. Ditën e martë, 25 shkurt 1981, fëmijët që i kam shpëtuar i vizitova në Kirurgjinë Plastike në Prishtinë te dr. Adnani.

Prof. Mehmet Begraca, qe ishte minister i Shëndetësisë më thirri në telefon që ta marr vendimin për specializim për të shkuar në Klinikën “Rebro” të QKU në Zagreb,
U nisa me trenin “Akropolis” për Zagreb nga Fushë Kosova. Atje qëndrova deri në maj të vitit 1985.

Ah Gilan, ah zaman…! Ah Gjilan, ah kohë…!


Sa shpejt po ikin vitet, por ditët kurrsesi. Kaluan 42 vite prej ditës së pare si mjek. Në ordinancën time mbaj si kujtim tensiometrin dhe dëgjueset e para që i kam përdorur si student i vitit të tretë në lëndën e medicinës interne. Në ordinancën time mbaj çantën e dr. Zeiqirija Sait, intenistit gilanas ,që si fëmijë e kisha idol, mbaj tensiometrën e mjekës Andja Todroviq që vdiq me 1945 ne Shurdhan nga tifoja.


Me 24 prill të këtij viti mbushen 35 vite si urolog.

Ah kohë…! Sa shpejt tretesh e sa të padukshëm e ke ritmin e jetës!

/Rrëfimi i dr. Shevqet Mehmetit/

/Përgatiti dhe redaktoi për shtyp: N.Buzuku, botues i portalit Arena Press/Arenapress.info/

Nuk lejohet kopjimi i tekstit ose ribotimi pa lejen e botuesit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here