Home Kult/Arsim Ky vit shkollor – as i humbur, as i dështuar – vlerësimi...

Ky vit shkollor – as i humbur, as i dështuar – vlerësimi i nxënësve në harmoni me rrethanat e pandemisë!/Intervista/

548
0

/Nga Nexhat Buzuku/

Duke qenë se fatkeqësitë natyrore krijojnë situata të reja dhe të papritura, siç ndodhi me pandeminë, atëherë edhe zhvillimet dhe proceset në një mënyrë paralizohen dhe ndryshojnë ecurinë e punës. Në këtë kontekst, do theksuar se procesi normal mësimor u ndërpre befasisht dhe në mënyrë të papritur, pasi ishim të papërgatitur në aspektin teknologjik dhe, ndoshta, metodologjik, për sfidën që na preku.
Megjithatë, kalimi pa vonesë në mësimin nga distanca – mësimi online, mundësoi që të ruhet vazhdimësia e procesit mësimor, e në këtë kuadër edhe e vitit shkollor.
Ashtu, sikur edhe në gjithë botën, qëllimi i parë dhe kryesor ishte dhe ende është ruajtja e vazhdimësisë së procesit mësimor, mësimdhënies – mësimnxënies dhe, mbi të gjitha, mobilizimi i nxënësve në përputhje me situatën e re jashtë objekteve shkollore.
Pra, është e qartë se qenësore në këtë kohë ishte dhe mbeti aspekti i mobilizimit në trekëndëshin mësimdhënës – nxënës – prindër, ndërsa vlerësimi i nxënësve nuk bëhet sikur në kushte normale, por në përputhje me jetën dhe veprimin në rrethana të pandemisë.
Me këtë rast, lidhur me vitin shkollor dhe vlerësimin e nxënësve në këto rrethana të mbajtjes së mësimit online, biseduam me njohësin e çështjes së arsimit në Kosovë, profesor Fehmi Sylejmani, me të cilin do të shpalosim disa nga aspektet kyçe të mësimdhënies-mësimnxënies në rrethana të papritura – të jashtëzakonshme, sikur kjo e pandemisë, si dhe ndryshimet që duhet bërë në kurrikulat mësimore, herrjen e librave nga përmbajtja abstrakte, për çantat e nxënësve, mësimin dixhital, etj.

Arena: Duke qenë se kjo është përvoja e parë e mbajtjes së mësimit nga distanca – e mësimit online, si e vlerësoni këtë organizim të procesit mësimor?

Sylejmani: S’do mend se gatishmëria në këtë situatë të pandemisë për mësimin në distancë nuk ka munguar nga asnjë nivel, madje duhet komplimentuar, ndonëse ishin të gjithë akterët të pa përgatitur për këtë formë mësimore, teksa ky mësim kishte vështërsi të veta, kërkonte përgatitje shumë më shumë se mësimi konvencional, metoda dhe metodologji tjera si dhe kushte tjera shtesë teknologjike.
Dhe, në këtë drejtim duhet të themi se ka qenë një organizim, mbase edhe i mirë, me përjashtime, ndonëse në këtë fazë nuk mund të flasim për cilësi, por më shumë për mobilizim, stimulim, motivim dhe moral për të tejkaluar këtë situatë, të paparë ndonjë herë.
Qëllimi i të gjithëve ka qenë që të mos ketë shkëputje të procesit mësimor, duke sajuar metoda dhe mënyra të ndryshme në këto rrethana të reja. Prandaj, me plotë të drejtë është aplikuar mësimi në distancë, duke përdorë platforma të ndryshme digjitale nga mësuesit dhe, assesi, nuk kemi guxuar të lejojmë që ky vit shkollor të ndërpritet.

Arena: A mendoni se ky vit do të përmbyllet me sukses, bazuar në rrethanat e krijuara, pra të një situate të re të pazakonshme?

Sylejmani: Gjithsesi, do të jetë i suksesshëm, ndonëse duhet pranuar se ky vit do të jetë i dëmtuar, por jo i dështuar apo i djegur.
Ndërkohë, që ka patur pabarazi të theksuar tek nxnënsit, meqë ka pas nxënës më kushte jo të mira socio-ekonomike, të cilët nuk kanë mundur të përfshihen në këtë platformë të mësimit, përveç përcjelljes në televizionin publik të RTK-së, sikundër që ka munguar në këtë organizm komponentja e edukimit, për shkak të mësimit në distancë.

Arena: Shpeshherë është diskutuar se më së vështiri në këtë situatë të mësimit në distancë do ta kenë parashkolloret (fëmijët në çerdhe) dhe niveli 1-5 i arsimit.
A mendoni se, megjithë vështirësitë, ky nivel do ta ketë kapur bazën e asaj që njihet ne pedagogji si formimi i domosdoshëm i shprehive për punë – mësim dhe aspektin edukativ?

Sylejmani: Edukimi më i mirë i mundshëm i nxnënsve bëhet në nivelin 1-5, sikundër që në këtë nivel edhe vështëritë e mësimnxnënies dhe mësimdhënsies janë të dukshme, sepse shkëputja e mësimit në këtë nivel është e theksuar, meqë shumë shpejtë fëmijtë i harrojnë shkronjat, numrat, por edhe elementet tjera që lidhen me mësimin dhe shprehitë në jetë.
Nuk është vetëm Kosova në këto rrethana, por duhet patjetër nënvizuar se mbi 90 për qind e shkollave në botë e kanë ndërpre mësimin e rregullt.

Arena: Një çështje shumë e rëndësishme është vlerësimi i nxënësve.
Si mendoni se duhet të bëhet vlerësimi, ndërkohë që MASHT-i ka përcaktuar udhëzimin e vlerësimit, sipas të cilit nxënësit nuk mund të kenë notën me të ulët nga ajo që e kishin deri me 11 mars?

Sylejmani: Edhe përkundër udhëzimit të MASHT-it për vlerësim në këtë kohë të pandemisë dhe mësimit në distancë, mendoj se mësimdhënësit duhet të tregohen të vëmendshëm me mënyrat e të vlerësuarit, duke përdorë ide të ndryshme kreative, sepse rrethanet aktuale na didktojnë një vlerësim më ndryshe. Gjithsesi një vlerësim që nuk dëmton nxënësin, përkundrazi e stimulon atë dhe i krijon motiv më të madh për mësim pas kthimit në shkolla. Pra, në një situatë të pazakontë nuk kund të ketë vlerësim të zakonshëm, siç nuk kemi as mësimdhënie e mësimnxënie të zakonshme.

Arena: Që nënkupton se…?

Sylejmani: Që duhet t’i kemi parasysh rrethanat e pandemisë, diçka e pazakonshme për të gjithë ne.
Që nënkupton se ky format i tillë i të mësuarit, por edhe në rast të të kthyerit në shkollë, mësimi duhet të jetë më lehtësues, këshillues, relaksues, aktivitete kreative, përsëritje e atyre që janë mësuar më herët, e jo ndonjë kërkesë si më parë në kushte normale, meqë të gjitha të tjerat janë teknikalitete.

Arena: Kjo gjendje e re ka krijuar situatë të re, sikur asgjë nuk do të jetë si më parë, as në procesin e mësimit (mësimdhënies e mësimnxënies).
A mendoni se tashmë duhet të mësohemi me mësimin online – kalimin gradual në mësimin dixhital?

Sylejmani: Momentumi i ri i krijuar nga pandemia na ka shtyrë të mendojmë për të ardhmen e arsimit, nga mësimi i klasave tradicionale në ato digjitale dhe, rrjedhimisht, një gërshetim i këtyre dyjave.
Prandaj, arsimi po kalon, edhe përkundër që s’jemi të përgatitur aktualisht, në epokën digjitale dhe duhet ecur me këtë ritëm si në krejt vendet e zhvilluara.
Gjithsesi organet përgjegjëse të arsimit duhet të mendojnë e planifikojnë për avansimin dhe zhvillimin e përdorimit të teknologjisë, të investohet dukshëm në këtë segment, mabse i domosdoshmë dhe në trend me kohën. Kjo nënkupton që mësimdhënësve t’u ofrohen trajnime falas për programe dhe paltforma dixhitale, e investimet në shkolla të orientohen kryesisht në teknologjinë informative.

Arena: Duke qenë se mësimi dixhital tashmë është i pashmangshëm, atëherë çka mendoni se duhet të ndryshohet në kurrikulat mësimore, në libra, në literaturë shkollore, në çanta kilogramëshe të mbushura me libra?

Sylejmani: Patjetër, ndryshimi tërësor, cilësor dhe pa vonesë. Të rishikohen kurrikulat dhe literatura shkollore, të ndalohet njëherë e përgjithmonë ribotimi i librave pa kurrëfarë ndryshimi, libra tashmë të konsumuara. Kurrikula duhet të reformohet, të përshtatet me mësimin dixhital, të mënjanohen formalizat dhe aspektet e panevojshme teknike. Ndërsa, librat të jenë të shkruara edhe në versionin elektronik dhe të kenë mundësi t’i shftytëzojnë edhe vetë mësuesit, nxënësit dhe prindërit.

Çantat kilogramëshe duhet t’u shkarkohen nxënësve dhe jo të vazhdojmë t’ua shtrembërojmë kurrizin e t’i traumatizojmë me libra të stërngarkuara, me përmbajtje abstrakte. Shkenca vlen për aplikim praktik, për jetë dhe arrihet përmes mësimit cilësor nga libra me përmbajtje konkrete, mësimdhënie e mësimnxënie konkrete.

Arena: Për fund, cila është porosia e juaj për mësimdhënësit, nxënësit, prindërit?

Sylejmani: Në këtë aspekt, patjetër duhet fuqizuar trekëndëshin didaktik mësues – nxënës – prind, sespe roli i secilit në këtë rast e në këtë aspekt është tepër i domosdoshëm.

Arenapress.info/Arena Press/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here