Home Dikur/dje dhe sot/ Mullinjtë e qytetit të Gjilanit – përdoreshin për bluarje, larje rrobash…/Kthimi në...

Mullinjtë e qytetit të Gjilanit – përdoreshin për bluarje, larje rrobash…/Kthimi në kohë/(2)

220
0

Kthimi në kohë…


Kthimi në kohë – rikthimi në kohën e sotme i gjurmëve e kujtimeve të dikurshme!
Dr. Shevqeti në kujtimet e tij për mullinjtë e qytetit të Gjilanit rikujton në formë përshkrimi ku ishin, si dukeshin dhe funksionet që kryenin mullinjtë përveç bluarjes së drithit.
Mulliri në ‘Arap mëhallë’ ishte një trio (kryente tre funksione): bluarje e grurit dhe misrit, pastrimi i rrobeve me perajkë nga romët, njëherit ekspozitë e shotave me ngjyra të ndryshme.

Kujtime më të pakta kam për mullirin e Andreas në lumin Stanishorka, te vendi i Porodinit, afër çerpiçhanës, ku toka kishin Muharrem Bajra, Klaiqët dhe Sadik Novobërdaliu i Balecit.

/Pjesa e dytë/

Dikur dhe sot – nëpër ngjyrat e kohës!

2.

Gilani në qytet kishte katër mullinjë me ujë. Mulliri i Ahmet Hasan Arabistanit që ishte edhe myfti, ishte mulliri më i vjetër. Ishte në drejtim të Zabelit të Sahit agës të livadhet e Arapit, afër Sallahanës që ishte vend ku therreshin kafshët, afër vendit ku hedheshin mbeturinat e qytetit deri me 1970.

Mulliri ishte me jaz që vinte nga lumi Dobrusha, ne fëmijët në vitet 1965-ta shpesh e vizitonim, ishte i ndërtuar me gurë, i mbuluar me qeremidhe, kishte një guri, ndërsa në muajt e verës, kur pronari nuk ishte aty, ne pa e ditur çka është frika laheshin në jazin e mullirit. Ndërkohë që disa shikonin lëvizjen e gurit, stërkalat (stërpikat) që formoheshin me rastin e rrotullimit.
Kur i kam treguar babait tim si po sillemi ne fëmijet e Çarshi mëhallës te mulliri, ai më tregoi një tragjedi të një familje gilanase të shpërngulur në Izmir,se një fëmijë i tyre ashtu kishte humbur jetën.

Mulliri kishte një pozitë piktoreske, jazi, mulliri i vogël, afër plepat dhe shelgjet, më poshtë livadhet e Arapit që ishin plotë ujë, ku ne luanim gjithë ditën. Mulliri kishte kapixhikun tipik për gjatësinë tonë, brenda në tavan dhe dritare kishte plotë merimanga. Ndërsa, në skaj të murit disa thasë me misër, e në anën e kundërt mielli i bluar që kishte erë karekteristike.
Në kujtimet e mia të fundit për këtë mulli ishin pronarët serbë nga Koretishta, që kohë pas kohe e hapnin, pasi kositnin livadhet aty
.
Çdo ditë këtij mulliri i mungonte diç, filloi t’i mungojë jazi, ia drejtuan rrjedhën për ujitjen e kopshteve që ishin para sallahanës, filluan t’i mungojnë qeremidhet, flluan t’i vjedhin kujtimet, në fund i vodhën edhe gurët, duke humbur në tërësi çdo gjë, thuajse andejpari ka kaluar murtaja.

Mulliri i dytë ishte në ‘Arap mëhallë’, aty ku ishte çezmja e Tuleshit, në lumin Banja ishte mulliri i Novobërdalive, pas viteve te 30 i njohur si mulliri i Fekovitëve, mulliri i Malishevalive. Ne fëmijët shpeshherë e vizitonim këtë mulli, pasi aty kishin afër i kishin shtëpitë Klaiqet, Medinagët, Malishevalitë, Sahiti i Abdurrahim efendiut. Ata aty sillnin misrin dhe grurin për ta bluar. Më kujtohet kur Klaiqët me karrocën me kuaj sillnin grurin për ta bluar. Aty, në derdhjen e ujit, romët lanin rrobet me perajka; aty kishte edhe mjaftë shota që notonin.
Mulliri ishte me një guri. Guri rrokullisej me muzikën e vet harmonike, që kishte gati gjithnjë të njëjtën oktavë, ndërsa mullinxhiu kallte cigaren, e neve fëmijëve na përgjigjej në pyetjet e parashtruara.


Mulliri në Arap mëhallë ishte një trio (kryente tre funksione): bluarje e grurit dhe misrit, pastrimi i rrobeve me perajkë nga romët, njëherit ekspozitë e shotave me ngjyra të ndryshme.

Ah Gilan, ah zaman…!

Si mund të harroj mullirin e Hajdarit te lumi Banja ku sot është Shtëpia e Shëndetit, që ishte prezent deri në vitet e 70-ta. Në arkivin tim të dokumentacioneve për qytetin shihet se ky mulli i ishte shitur Hajdarit me 1954 nga Dilaver Gjinolli, që në atë kohë kishte jetuar në Nish.


Shumëhere jam takuar me djalin e pronarit të fundit, i cili banonte në ‘Sheqer mëhallë’, që tregonte se shteti ia konfiskoi pronën dhe nuk ofroi kurrfarë kompesimi. Kështu zhduket edhe ky mulli që e vizitoja shpesh deri me 1970, pasi nëna ime Fetija shpesh e vizitonte familjen e profesorit Osman nga LLashtica, i cili pastaj u shperng në Bursë me 1970.


Kujtime më të pakta kam për mullirin e Andreas në lumin Stanishorka, te vendi i Porodinit, afër çerpiçhanës, ku toka kishin Muharrem Bajra, Klaiqët dhe Sadik Novobërdaliu i Balecit.

E vërteta ka një emër, ajo lexohet këtu në Arenapress.info/Arena Press/

/Autor i rrëfimit: Dr. Shevqet Mehmeti/
/Redaktor për shtyp: Nexhat Buzuku, botues i portalit informativ Arenapress.info/ Arena Press/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here