Home Kult/Arsim Në Gjilan bëhen përgatitjet për rikthimin e nxënësve në objektet shkollore

Në Gjilan bëhen përgatitjet për rikthimin e nxënësve në objektet shkollore

161
0

Gjilan, 25 gusht 2020 – Komuna e Gjilanit i ka bërë të gjitha përgatitjet për rikthimin e nxënësve në objektet shkollore, në shtator.

Konfirmimi ka ardhur gjatë takimit të kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri, me drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme të Gjilanit.

“Duhet t’i kthejmë fëmijët në shkolla. Nuk është e lehtë në këtë kohë pandemie për shkak se lëvizin një numër i madh i nxënësve dhe i qytetarëve. Kjo na bën që të kemi shumë angazhim për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Angazhimi nënkupton që fëmijët duhet të kontrollohen çdo ditë dhe të jenë nën mbikëqyrje ditore, përfshirë edhe kujdesin e mësimdhënësve”, ka thënë Haziri, gjatë adresimit para drejtorëve të shkollave.

Ai tha se duhet të rritet roli i prindërve dhe i Këshillit të nxënësve, derisa ambulantat në lagje e fshatra hynë në menaxhim ditor me personel shëndetësor.

“Ata do të kujdesen për shëndetin e nxënësve dhe të personelit gjatë ditës. Duhet të ndërmerren të gjitha masat kundër përhapjes së COVID-19. Do të punojmë sipas udhëzimeve dhe rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHPK-së) dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Fatmirësisht, deri tani nuk ka pasur rast të bartjes së infeksionit nga ana e fëmijëve”, ka thënë Haziri.

Ndërkaq, drejtori i Arsimit në Gjilan, Nazim Gagica, tha se niveli 1-6 dhe 6-9 kanë zgjedhur opsionin A, mësimi fillon në klasa në të gjitha shkollat e Gjilanit, ndërsa shkollat e mesme edhe ato profesionale kanë zgjedhur planin B, i rekomanduar nga MASH-i, një javë në shkollë dhe një javë mësim nga shtëpia. Mirëpo, nuk përjashtohet edhe alernativa që të gjithë nxënësit 1-12 të nisin mësimin në shkollë që në javën e parë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here