Home Dikur/dje dhe sot/ Brisku i Gjilanit! Kujtime për berberët dhe bekritë e qytetit…

Brisku i Gjilanit! Kujtime për berberët dhe bekritë e qytetit…

392
0

Redaktoi për botim: Nexhat Buzuku /Arenapress.info/Arena Press/

Nëpër udhët e jetës – aty ku ora e jetës nuk ndalet kurrë…! E kujtimet na kthejnë në kohë…

/Foto e huazuar nga: Entezam Sherif/

Për botimin e rrëfimit të dr. Shevçetit zgjodha ditën e sotme, ditën e shtunë, pasi, duke qenë ditë pazari, berberët kishin më së shumti punë. Këtë ditë në kooperativën e berberëve pritej edhe në radhë.
Kooperativa e berberëve ndodhej në qendër, punonte në dy ndërrime, në një ndërrim punonin 4-5 berberë. Lokali ishte i pastër, financohej nga shteti, duke përfshirë edhe pagat e berbrëve.

Krahas kooperativës së berberëve kishte edhe disa lokale të tjera floktare – në këndin e rrugës përballë Xhamisë së Madhe, ku ishte një lokal i vogël dhe në krye te parkut të qytetit – lokali barakë, ku punonin dy berberë…

Vërtet ishte kënaqësi. Të rinjtë preferonin, një kohë, frizura “gushter”, flokë të shkurtra prapa te qafa dhe përreth veshëve, më vonë ishte në modë stili i flokëve të gjata. Më të moshuarit mbanin flokë të shkurtër dhe fytyrë të rruar, pedantë dhe veshmbathje me stil…

Për më shumë lexoni në vazhdim rrëfimin e dr. Shevçetit, i cili sjell kujtime interesante për berberët e qytetit, stilin e frizurave të atëhershme, bekritë e qytetit, kooperativën e berberëve, prej nga erdhi fjala “berber”, etj, etj…

Këtu lexohet një herë, komentohet e nuk harrohet tërë jetën…

Kthimi në kohë – Gjilani nëpër ngjyrat e kohës – dje dhe sot!

Këto ditë dëgjova “Berberin e Sevilës” të Rossinit, që me 1775 kishte pasur premierën publike. Më inspiroi të shkruaj për berberët e Gilanit. M’u kujtua se në tetor të vitit 1978 kisha udhëtuar në Maroko për të vizituar Marekeshin me sokaqët e ngushta, ku vlonin zanatet orientale, pastaj Agadirin, Fesin dhe Casablankën ku ishte incizuar filmi me Henfri Bogradin. M’u kujtuan momentet kur në dyqanet miniaturale dhe ato të hapura takoja popullin vendas të njohur me emrin ‘berber’, por ata nuk kishin zeje të shkurtojnë flokët dhe të rregullojnë mjekrën dhe mustakët.

Ah Gilan, ah zaman! A Gjilan, ah kohë! .

Përballë shtëpisë tonë në ‘Çarshi mëhallë’ banonte Abdyli, berberi, që kishte bashkëshorte Esmën – boshnjake, me të cilën familja ime kalonte mirë. Afër ishte ëdhe Haliti, poashtu kishte bashkëshorte inxhën Vezire nga Bosnja, qe nuk kishin fëmijë. Abdyli ishte nga Zarbinca, punonte si berber në kooperativën e berberëve në qytet, që ishte në mes të vetëshërbimit të vjetër dhe librarisë ku punonte axha Remzi. Axha Halit kishte qenë berber në spital dhe kishte ishte i angazhuar të mbajë higjienën e flokëve dhe mjekrën e pacientëve të shtrirë në spital. Ai, njëherit, përgatitte fushën operative para operimit, që ishte dukuri e domosdoshme. Ai kishte punëtorinë në repartin e mushkërive. Pas pensionimit atë e zëvendësoi Musa, që kishte shtëpinë në Baçevinë.

Berberët e qytetit kishin dyqanet e veta në rrugët kryesore. Babai im, Ramushi, më tregonte se Mullasherifët dhe LLabjanët e Gilanit i kishin dhënë qytetit shumë berberë. Kështu, Kurteshi, Reshati, Nexhati dhe Nezi ishin të Mullasherifëve; Osmani dhe Nexhipi ishin të Llabjanëve. Babai më tregonte se berber efendi kishte qenë Kurteshi, që ishte babai i Farkës dhe Sebës, që janë sportistë të njohur. Nezi, pos që ishte berber me emër, ishte i njohur me shakatë e tij. Me Nezin shumëhërë kam biseduar për inspirimin si është bërë berber. Kishte merak të bënte shaka gjatë qethjes me makinë dore. Nezi deri në pension punoi në kooperativën e berberëve.


Historiku i berberëve është shumë interesant. Pasi ata qethjen nuk e bënin vetëm në dyqane, por edhe në rrugë, në rend të parë gjatë pazarit dhe panaxhyrit. Në kohën osmane berberët i kishin quajtur “hallak”. Omar Khajami thekson se fjala berber ka gjenezë persiane, ndërsa italianët cekën se është fjalë e tyre dhe vjen nga fjala “barba”. Në kohën e sulltan Abdylemxhidit kanë qenë disa kushte me pasë leje për berber: mosha mbi 30 vjet, me qenë i martuar, nuk ka të drejtë me bërtitë dhe me sha ose ofendue dhe berberi duhet patjetër t’i falë 5 kohë vakte (namaze). Deri në shekullin XIX, zakonisht te berberi shkonin për shkurtimin e flokëve, ndërsa mjekrra ishte ‘fars’, ndërsa berberët rregullonin edhe mustakët. Asnjë sulltan në Perandorinë Osmane nuk ishte pa mjekërr, pasi, sipas ‘hadithit’, mjekrra është ‘fars’. Berberët me shekuj janë marrë edhe me kirurgji të vogël, mënjanimi i dhëmbëve, syneti, hapja e ndonjë furunkulli me qelb.

Aha Gilan, ah zaman! Ah Gjilan, ah kohë! Vitet nuk ndalen… e kujtimet po më kthejnë atje ku isha dje…!


Në kooperativën e berberëve në Gilan kanë punuar Qedomiri, Voja që ishin të vetmit serb me këtë profesion. Abidushi, Nexhat Selamani, Nexhipi i Llabijanëve, i cili u shpëngulë në Bursë të Turqisë, ishin veteran në mesin e berberëve. Kur ishim fëmijë, për të na mashtruar, na hypnin në ulësen me kali për të na qethur flokët. Kohë pas kohe Abidushi e sillte kalin për mos me qajtë ne fëmijët. Ndëersa, verës, zakonisht, na bënin “lluster”, duke na hequr flokët zero. Abidushi ishte plotë me barcoleta. Pasi berberhanet ishin vendet ku takoheshin qytetarët, aty tregoheshin mesele të ndryshme, duke pritur rendin. Abidushi ishte merakli i sevdasë, për çka vizitohej shpesh nga bekritë e qytetit, si: Dula, Vehbia, Naka, Xhevati, Toma, Tarzani.
Pos berberëve të kooperativës, në qytet kishte edhe berberhane të tjera. Çdo berberhane kishte myshterinjët e vet, kishte bekritë e vet, kishte barcoletat e veta. Përballë Shtëpisë së Mallrave, deri me 1976 ishte berberhanja e Mahmut Dindarit nga Dobërçani, i cili ishte i plotë, trupshkurtër dhe kishte çirak (ndihmës) Hajdarin e mulla Avdës. Ishte dhëndër i Livoçit – me një rast Hajdari, adhurues i biçikletës, e kishte marrë me vehte dhe e kishte shtie dhëndrin në dhomë të miqëve me biçikletë. Pastaj, punën e tij e vazhdoi djali, Ismalhakiu, që ishte bekri i vërtëtë.

Në fillm të rrugës “7 korriku”, afër Murat kovaqit dyqanin e ka pasur Galipi, qe ishte edhe futbollist. Galipi ishte mjeshtër i rregullimit të flokëve, kishte çirak (ndihmës) djalin e vet. Në kohë të lirë zhvillonte muhabet me kovaqin e njohur Muratin, pasi ishin me lokale pranë njëri- tjetrit.

Ah Gilan, jeta nëpër vite e koha plotë ritëm, me kujtime të paharrura, nuk pushojnë…!

Në mëhallën e Atik Xhamisë e kishte shitoren plaku Mehmet Nobërdaliu, që në fillim të hyrjes kishte ngjitur pjatën e berberit, ndërsa brenda kishte vetëm një karrikë pune. Kur shkoja me u qethë, me te flisja turqisht, pasi e njihte mirë babain tim, të dytë ishin i një gjeneratë. Babai im, Ramushi, më tregonte se aty ku është sot posta, berberhanen e ka pasur Rexhep Dizdari, i cili u shpërngul në Izmir të Turqisër, ndërsa përballë gjimanzit ishte baraka e Faik Huskovcit nga Dobërçani, që ma ka dhuruar makinën e dorës për qethje, që një kohë u shpërngulë në Turqi e pastaj, përsëri, u kthye në Gilan.


Aha Gilan, ah zaman! Ah berberët e qytetit që na mbanin higjienën e kokës e fytyrës!

Aty ku ka qenë Hamami i Hyrës në vitet e 60, u vendos baraka e berber Ramadanit, ishte trupgjatë, me rrobe pedante nën vijën e hekurit, me këcele në trup gjatë punës, ndërsa në rrugë mbante beretën franceze, banonte te stadiumi i vjetër. Në punë ishte pa zë, nuk fliste, vetëm ndëgjonte bisedat e myshterinjëve. Ndërsa, mbi shkollën “Vuk Karaxhicq” ishte baraka e Hasan Sylqevcit, ku kohe pas kohe punonte Ismalhakiu Sylqevci dhe Mala i mulla Avdës. Në këtë berberhane tuboheshin bekritë e flakët, që e donin rakinë, muzikën, ishin qefli (sevdali), që në rrugën kryesore tregonin disponimin. Pak më lartë, afër ëmbëltorës “Kitka” ishte Xhaviti, i cili e kishte mbushur berberhanen me plakata të filmave që ekspozoheshin në kinemanë e qytetit. Muri nuk kishte asnjë centimetër të lirë. Ndërsa, në fund të parkut të qytetit ishte baraka ku punonte Rifati.
Berberët ishin edhe qendër informatash, vend ku tuboheshin zejtarët, ku ktheheshin ata që faleshin në xhaminë ‘Shehzade’, ku ishte berberhanja e axhës Musë nga Pogragja. Kohë pas kohe, pos djalit, punonte edhe Abdyli i lagjës sime.
Babai im tregonte se deri në vititin 1957 nëpër shtëpia shkonte Tafa me djalin Nexhatin, që banonin në lagjen tonë, ishte nga Lubizhda. Pstaj, u shpëngulën në Turqi, me 1957. Ata që ishin shumë të varfër në qytet dhe në fshatra qetheshin nga prindërit me gërshërë të deleve.


Ah Gilan, ah zaman…!

Berberëve puna u ra në vitet 1970, kur të rinjtë filluan t’i zgjasin flokët sipas pamjes së bitëllsave. Në këtë kohë, berberhanet më tepër i vizitoheshin nga byrokratët dhe pleqtë. Çdo berberhane ka një historik të njerzëve, të tregimeve. Aty mund t’i tubosh informatat e ditës për qytetin, sikur sot prej taksistëve. Pos që ishin berberë, disa gilanas ishin edhe mjeshtër të synetit, si: Kadrushi – xherrahu, Jusufi, që për herë të parë filloi të rregullojë flokët e femrave dhe kishte bërë nam të madh në qytet. Kadrush xherrahu, kur u shpërngulë në Stamboll, krijoi frikë në mesin e qytetarëve, se kush do t’i bëjë fëmijët synet. Filluan edhe hoxhallarët të merren me syneti. Kështu, lindi konkurenca në syneti në mes të hoxhallarëve dhe berberëve.


Më kujtohet edhe prilli i viti 2002, kur ra tërmeti në Gjilan, me ç’rast berberi Isuf që punonte në kooperativën e berberëve kishte oësuar nga rënia e pllakës së betonit. Unë e nxorra nga automobili kur e sollën në spital. Ishte ora 14: 28 minuta. Ishte pa shenja jete. E njoha shumë mirë, pasi shumë herë ai më kishte qethur. Për mua ishte momenti më i vështirë i përjetimit në mes meje dhe një berberi.

Ah kohë…! Sa shpejt tretesh e sa të padukshëm e ke ritmin e jetës!


/Përgatiti dhe redaktoi për shtyp: N.Buzuku, botues i portalit /Arenapress.info/Arena Press/
P.S. – Nuk lejohet kopjimi i tekstit ose ribotimi pa leje të botuesit.

/Çdo mosrespektim i këtij paralajmërimi sjell pasoja ligjore. Vetëm botuesi ka të drejtë të lejoj ose jo ribotimi e shkrimit diku tjetër. Teksti mund të shpërndahet, por jo të përvetësohet. Ky është paralajmërimi i fundit, ndryshe çdo shkelje nga kjo që u tha rasti shkon në Gjykatë./

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here