Home Dikur/dje dhe sot/ Dikur loja e futbollit në Gjilan ishte festë…/Kujtime nga stadiumi i qytetit...

Dikur loja e futbollit në Gjilan ishte festë…/Kujtime nga stadiumi i qytetit në Gjilan

148
0

Udhëtim në kohë…

Një plejadë e tërë futbollistësh të spikatur i kishin dhënë qytetit të Gjilanit festë, entuziazëm të paparë. Në çdo lojë tribumat e stadiumit mbusheshin plot, pije frekuese ishte ranxhada.
Klubi i atëhershëm Crvena Zvezda shkëlqente me artin e futbollit, ndërsa Komuna e Gjilanit atëherë i punësoi futbollistët në organizata punuese shoqërore që ata të motivoheshin edhe më shumë në klubin e tyre e të qytetit.
Me 1963 KF Crvena Zvezda e Gjilanit u bë kampion i Kosovës. Me 1967 u ndërtue stadiumi i ri, aty ku është sot.
Lexoni rrëfimin e dr. Shevqetit për stadiumin e qytetit në Gjilan…

1.
Jeta nuk është mozaik vetëm i fjalive të shkurta. Nuk është panair i emocioneve njëvjetore. Kujtesa për të kaluarën flet për erërat që kalun skaj lumit Dobrusha. Aty ku është stadiumi i futbollit ishin livadhet e Agushagëve, majtas ishin tokat e fidanishtes, ku plepat me gjatësi dy metra ishin paluar si brigadat që dëgjonin muzikën e Eolit, zotit të erërave. Skaj lumit Dobrusha plepat e gjatë, ndërsa lumi lidhej me çezmen e Balecit me një urë të ngushtë me gjerësi një metër. Andej plepave ishin tokat pjellore dhe livadhet e Koretishtës, e andej plepave ishte bunari dhe objekti i drejtorisë së pylltarisë. Sa herë në muajt e verës në livadhet e Agushagëve kullosja delet, që blente babai im për pastermë, sa mësimin me zë e kam bë skaj lumit Dobrusha, duke filluar nga ura deri në fund të livadheve të Koretishtës.


2.

Me 1963, KF Crvena Zvezda e Gjilanit u bë kampion i Kosoves në stadiumin që gjendej pas garazhës së autobusëve, që gjendej përballë mulirit të qytetit. Zeka si trajner ishte rigoroz, ndërsa profesori Tana ishte ndihmës, kurse Rashiti e Shahini ishin lojtar kacafytës, Faiku ishte golgeter numër një; Farka, Qurka, Vela, Ajvazi, Enveri, Hyseni, Galibi me lojën e tyre na mahnitnin ne fëmijëve.
KF Crevena Zvezda u bë kampion por stadiumi nuk i plotesonte kriteret për gara të tutjeshme. Futbollisti Maksut Maksuti më tregoi se tre vjet ishin të obliguar të luanin në Ferizaj. Filloi ndërtimi i stadiumit të ri në Balec mëhallë, te livadhet e Agushagëve, të fidanishtJa, plepat më të vegjël i larguan.

3.
5 maj 1967 – u bë hapja solemne e stadiumit, u bënë garat olimpike të sportistëve të shkollave të mesme. Maksuti dhe Nerimanja, e cila u bë bashkëshorte e tij, zunë vendin e parë në gara. Ishte festë në tribunat e betonit, staza e vrapimit ishte nga tartani, pas golit vendi për kërcime në largësi. Objekti për pergatitje për lojë ishte njëkatësh, konrvikti ende nuk ishte në ndëtim. Në portën e Zvezdës ishte Luba “Shefkija” që u martua me profesoreshen e vet. Më vonë, Hajrush Latifi i njohur me mbrojtjen (paradat) bravuroze që kënaqnin shpirtin e publikut, i vetmi ishte nga fshati.
Atë kohë ende luanin Enveri, Hyseni, Farka, Shahini, por edhe gjenerata e re e futbollistëve: Rraci, Reshati, Maksuti, Hajra, Gjoka Djordjeviqi, Cveta, Zabuni,Qemal Halimi. Lojërat me Vellaznimin e Gjakoves dhe Buduçnostin e Pejës kishin edhe elemente josportive. Me 1978 u bëra mjek i klubit. Zvezda kohë pas kohe më angazhonte si mjek. Lojtarët ishin të gjithë nga Gjilani. Tribunat ishin plotë, në tribuna të stadiumit shiteshin ranxhadat, fantat. Tërë paria e qytetit ishte në kryesi të klubit.

4.
Filloi të ngritet objekti për përgatitjen e lojtarëve. Në katin e dytë, kryesia e referët. Elita e qytetit i shikonte ndeshjet nga kjo ndërtesë.
Me 1985 u ktheva nga Zagrebi, ku isha në specializim, vëllezërit Bunjaku, Ekrem Rukovci, Shema “Qiba”, Xhelal Jetishi, Tajar Berisha, Zoki Topaloviqi i ofronin shpirtin klubit. Qyteti filloi të ndaj 3% kontribut për sportin gjilanas, ekonomia ishte e fuqishme, sportistët i punësuan në organizata punuese. Harmonia ishte në nivel. Pastaj filluan disa ambicie jotipike gjilanase, Albijaniqi, Qolakoviqi sollën lojtarë nga jashta Gjilanit, Laliqi, Rudiqi, Stankoviqi Bellopoja, Lajqi erdhen ne Gjilan. Zvezda luante me Galenikën, Mladostni, Borcin e Çaçakut, Radniçkin e Pirotit, Teteksin e Tetovës, Bregallnicen e Shtipit, Pobeden e Prilepit, Pelisterin. Me kujtohet fitorja e Zvezdës në Tetovë dhe humbja 5:1 nga Kristali në Zajeçar.

5.
Në Gjilan u zhvillua ndeshja e kupës me Radniçkin e Nishit, ku luante Piksi. Në Gjilan mysafir ishte Zvezda e Beogradit. Stadiiumi ishte plot, kulmi i gjimnazit ishte mbushur me shikues, gjithashtu edhe i konviktit. Pastaj si mjek iu bashkangjita KF Drita deri në vitin 2002, derisa Selami Bezi ishte me shëndet të mirë. Ky njeri investoi në Dritë parane, shpirtin, ushqimin, e bëri Dritën kampion.

6.
Disa herë e vizitova sa ishte i sëmurë, vërejta një dozë demoralizimi, sa është njeriu shëndosh ka shokë e miq, por kur je keq treten. Pas vitit 2002 nuk e vizitova stadiumin, se nuk po shoh i gilanasit duke luajur, të gjithe ‘jabanxhinjë’, kjo më demotivoi. Kështu kaloi një pjesë e jetës në stadiumin e futbollit. Shkuan në jetën e amshuar disa lojtarë: Faiku, Qemali, Rraci, Maksuti. “Në rrugë takoj Ramadan “Gllavqin”, Nehtin – ndonjëherë, Farka dhe Jakup Berisha kohë pas kohe më vizitojnë. Tajari shkoi në Amerikë. Në rruge shoh tabelën “Ramadan Salihu”. Jeta e sportit e humbi ëmbëlsirën. Sporti u politizua prej viteve 9o, tifozët e humbën kulturën e tifozëve gjilanas që shikonin ndeshjet me merak sportiv”.
/Rrëfimi i dr. Shevqetit: Kujtime nga stadiumi i qytetit të Gjilanit; redaktor: N.B./

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here