Home Dikur/dje dhe sot/ Farkatarërt, furra e bukës, panaxhyri i Gjilanit / Qyteti i Gjilanit...

Farkatarërt, furra e bukës, panaxhyri i Gjilanit / Qyteti i Gjilanit në vitin 1980 /53/

80
0

Gjilan, 14 maj 2021 – Qyteti i Gjilanit në vitin 1980. – Pamjet në foto flasin për një kohë dhe për një jetë, për mënyrën origjinale të jetës, pa dekor a pa falsitet. Dr. Shevqeti ka përshkruar në këtë mënyrë atë çfarë i kujtohet për atë periudhë dhe ka sjellur deri ne një rrëfim shumë interesant.

“Si mund të harroj furrën e Ilazit ku blenim bukë, që ishte ndër furrat e pakta private të qytetit; Si mund të harroj faktin se aty kishte punuar furraxhiu i mëhallës sime, Ali Demiri; Si mund të harroj faktin se fshatarët nga Karadaku sillnin dru me gomarë te kjo furrë, të radhitur si brigadë duke kaluar rrugës së Poneshit që lidhte me Baçevinën.

Aty afër ndodhej shtëpia e bojaxhiut që kishte djalë mësimdhënësin, Borën dhe nusen e djalit, mësuese. Në këndin, para se të hyhej në rrugën e parë të romëve, shitoren e kishte axha Kapllan, pastaj mjeshtri i biçikletave dhe kovaçët: Dema dhe Murati.
Në mes tyre ishte shtëpia e Petroviqit që punonte në Teknikën Popullore.

Shumë herë në këtë rrugë është mbajtur panairi (panaxhyri) i famshëm i Gilanit, ku ne fëmijët e vizitonim panaxhyrin; në ditën e dytë nënat dhe motrat tona. Ishte çdo gjë origjinale, banorët e fshatrave zbritnin në qytet për të blerë ose shitur diçka.

Si mund të harrohet kiosku i Qosës me burekët më të mirë në qytet, me bozën që të flladitte. Përballë ishte Stacioni i Autobusëve, ndërsa andej rrugës kryesore ishte Enti për Shëndetësi që u shndërrua në Entin Pedagogjik dhe Arkiv Historik.
Kovaçët me rreshiqin e vet skuqnin metalet për të përpunuar, çekanët goditnin hekurin, ndërsa Dema fshinte ballin nga djersa. Për ne fëmijët në vitet e 65-70 ishte moment kurreshtar të shikonim punën e kovaçëve të Gjilanit.

Furra më e vonë u hoq, u hap gjelltorja “Ballkan”, edhe kjo pas vitit 2002 nuk ekziston, u mbyllën dyqanet e farkatarëve, arkivin historik e rrënuan, ku prapa objektit shitej duhani kaçak. E larguan shitoren e mobileve “Treska”, më herët.
Gjërat ndryshuan, një cunami i ri në kokën e njerëzve, çdo ditë diçka ndërtohej, pastaj prishej, çdo gje ishte shkel e shko, pa plan!” /Nga dr. Shevqeti, editori: N.B./

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here