Home Dikur/dje dhe sot/ Kush ishte gjilanasi që për 50 vite kishte përcaktuar rrjedhat e jetës...

Kush ishte gjilanasi që për 50 vite kishte përcaktuar rrjedhat e jetës së këtij vilajeti…Si ia konfiskuan pronat dhe ku është varrosur? /Kronikë interesante e dr. Shevqetit për Gjilanin dikur/ 2/

103
0

Udhëtim në kohë…

Dr. Shevqeti (Shevqet Mehmeti) në kronikën e radhës na ka paraqitur pjesën e dytë me detaje intersante nga nga historia dhe jeta e gjilanasve në fundshekullin XIX dhe fillimshekullin XX.
Dr. Shevqeti në njërin nga fragmentet e kronikës veçon: “Me 1898 Todor Stankoviq, konzull serb ne Prishtinë, kishte vizituar Gjilanin, kishte kërkuar të takohej me bimbashin (epror ushtarak) dhe tregtarin Hysen Milla, por Hysen Milla nuk kishte pranuar, por Todor Stankoviq ishte takuar me Mustafa Gjinollin me vëllezërit e tij, Tefikun dhe Hyseinin”.

2.
Hysen Milla nuk ishte vetëm bimbash (epror ushtarak)i Perandorisë Osmane, ishte tregtar i madh i Kosovës, i cili ishte i përkrahur nga baballaku i vet Sylejman Pasha i Vushtrrisë. Në hulumtimin e shumë dokumenteve, në bisedë me vushtrriasin Fahri Buqincën, konstatuam karizmën e Hysen Millës, njeriut që kishte hanin në Parallovë të Gjilanit, dyqane nën objektin e kajmekanit ( muzeu i sotëm), qe kishte dhënë ‘vakeve’ – ndihma, Xhamise Atik, i cili kishte 78 hektarë tokë gjithandej Gjilanit. Shtëpia ku banonte ai sot është shkollë e muzikës dhe shtëpinë kur pritte mysafirë të njohur, që më vonë u bë shtëpia e Hys Okllapit. Djali i tij, Ibrahim Pasha në Shkup kishte 108 hektarë tokë.

Hysen Milla nga Gjakova kishte sjellur familjen e Pazvanëve për t’u kujdesur për ‘bezistanin – qendër tregtare në qendër të Gjilanit, pastaj kishin ardhur edhe shumë familje hasjane nga Planeja, Lubizhda, Gjonaj.

Me 1898 Todor Stankoviq, konzull serb ne Prishtinë, kishte vizituar Gjilanin, kishte kërkuar të takohej me bimbashin (epror ushtarak) dhe tregtarin Hysen Milla, por Hysen Milla nuk kishte pranuar, megjithatë Todor Stankoviq ishte takuar me Mustafa Gjinollin dhe me vëllezërit e tij, Tefik dhe Hysein Gjinolli.

Hysen Milla ishte ndihmëdhënës i madh i Gjilanit, duke ndërtuar 27 çezme, duke dhuruar prona dijanetit gilanas (bashkësi islame), ka ndërtuar mesxhidin (xhami e vogël pa minare)ne Balec me emrin ‘Xhedide’.

Me 1904, nga ana e Qeverise Osmane, Hysen Milla së bashku me Mustafë Gjinollin shpallen ‘pasha’. Me 16 korrik 1911 së bashku me baballakun e Sylejman Pashës nga Vushtrria, Hasan Prishtinën, Batushën dhe Isa Boletinin organizuan vizitën e sulltan Reshatit në Kosovë. Me rastin e vizitës së sulltan Reshatit në Kosovë, aty ku ishte redifhanja (kazermë ushatarake) e Gjilanit u ndërtue porta triumfale në rrugën e Ferizajit, aty ku sot është sahatkulla në Gjilan. Ndërkaq, javeri (zëdhënës ushatark) Omer Naxhi i dha Bejtulla begut 300 lira ari për finalizimin e punëve në Xhaminë ‘Shehzade’, sot quhet Xhamia e Madhe në qendër të qytetit, e cila ishte pa kulm.

Me 1918 në Gjilan vdiq Hysen Milla Pasha, i cili u varros në varret e qendrës së Gjilanit, ndërsa Rifatit i konfiskohen tokat, Bejtulla begu ia shiti dyqanet, që i kishte në anën e poshtme të objektit të kajmekanit, David Arsiqit, objektin ku pritnin mysafirët ia shiti Hys Okllapit e objektin ku është sot shkolla e muzikës ia ka shitur Hajredin axhës të Maliqajve, i cili e kishte vëlla Ramiz ‘Langun’ dhe Aliun. Ramiz ‘Langu’ është pushkatuar në vitin 1945, ndërsa me 1957 shteti e ka konfiskuar pronën e Hajredin axhës, për këtë arsye edhe shpëngulet në Stamboll, ndërsa vajza Hanumshaja martohet për Arif Klaiqin. Nipi i Bejtulla begut, Sirri begu me 1957 shpëngulet në Stamboll, e bashkëshortja Alija e Adem ‘agës’ ka dhënë kontribut të madh në edukimin dhe arsimimin e femrës gjilanase.

Me 1938 në Shkup, Ibrahim Pashës, djalit të Hysen Pashës, i konfiskohen 108 hektarë tokë në emër të reformës agrare. Kështu fiket biografia e familjes së Hysen Pashë Millës, i cili për 50 vite ishte njeriu që përcaktonte rrjedhat e jetës gjilanase. Mbi varrin e tij është ndërtuar burgu, në pronën e tij të dikurshme e fituar nën osmanët, ishte shkolla fillore dhe shkolla e muzikës, çeszet e ndërtuara u çrrënjosën, jeta ndryshoi, kishte shtet të ri me sistem dhe rend socialist, kur pronat e mëdha ishin nën pronësinë e shtetit. /Nga dr. Shevqeti, editori: N.B./

/Nuk lejohet kopjimi apo shpërndarja e tekstit dhe e fotografive. – Nga editori/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here