Home Extra KUSH PO NA PRISH ME AMERIKĂ‹N?!

KUSH PO NA PRISH ME AMERIKĂ‹N?!

156
0


Godet Pastori Protestan, Albinin e sollët ju antiamerikanët, mashtruesit e gënjeshtarët, keqbërësit…

Editorial/ Nga Femi Cakolli (pastor)/

Kush vërtet i ka rrezikuar marrëdhëniet dhe miqësinë e përhershme me SHBA? A ka nisur tash kjo gjë apo më herët? A ka pasur paralajmërime edhe më përpara nga pala amerikane? Muajin e fundit u tha mjaft shpesh se Albin Kurti dhe LVV po na prishin me Amerikën. Një fakt që u trumbetua ishte se kryeministri në detyrë e paska gënjyer diplomatin amerikan për heqjen e taksës. U tha se nisën edhe sanksionet amerikane. E në fakt u ripërsërit se kampi ushtarak në Bondstill do largohet. Ta shohim pak më hollë këtë problem se kush në të vërtetë dhe si ka nisur prishja e këtyre marrëdhënieve:

  1. Miqësia ndërshtetërore nuk prishet për 50 ditë:
    Si ka mundësi logjike e praktike që një kryeministër në koalicion me partinë më properëndimore për 50 ditë qeverisje t’i rrezikojë më shumë marrëdhëniet me SHBA sesa ata që ishin në pushtet qe 20 vjet duke bërë mjaft veprime antiamerikane?
  2. Sa investitorë perëndimorë potencialë i ka humbur Kosova: Këta që kanë qëndruar në pushtet për 20 vjet përmes burokracive dhe duke u kërkuar përqindje dhe forma tjera përfitimi ndërmarrësve perëndimorë kanë bërë që të ikin ose shmangin Kosovën për investime. Këto sjellje, për mua, janë më antiamerikane sesa t’i thuash jo një ambasadori amerikan për një çështje politike.
  3. Po të tjerët nuk e rrejtën Amerikën:
    Disa nga këto rrena dihen e disa nuk dihen. Po e shpalos një që opinioni nuk e di. Mes viteve 2000-2008 në Amerikë shkonin politikanë kosovarë të niveleve të ndryshme dhe disa prej tyre që ta dëshmonin proamerikanizmin, kur vinte e diela, të shoqëruar nga homologët e tyre amerikanë shkonin nëpër shërbesat e kishave. Dhe kjo përsëritej edhe herëve tjera kur ktheheshin andej. Pa ua kërkuar askush nisën t’u thoshin se janë konvertuar në të krishterë. Tërë kjo vetëm sa për t’ua bërë qejfin atyre. Ia kishin dalë t’i mashtronin, madje edhe duke u tallur me ta, por jo për kohë të gjatë.
  4. Kush bën biznes me Erdoganin:
    Kryetari i Turqisë është mik i Rusisë. Rusia është armike e Amerikës, por plot politikanë kosovarë bëjnë biznes me Erdoganin për përfitimet e tyre personale, ndërfamiljare e partiake gati qe 15 vjet. Po me privatizimin ma mirë mos ta përmendim se çka keni bërë.
  5. Pse kemi prani kaq të vogël amerikane:
    Kosova ishte dashur të ketë prej viti në vit rritje sa më të madhe të pranisë amerikane e europiane për cilëndo fushë: biznes, edukim, shëndetësi, inovacione, teknologji, sport, arte, ambient etj. Albini dhe disa idhujtarë të tij kanë përmendur aty-këtu “imperializmin amerikan” dhe na kujtohet kur disa protestues të LVV i lëndojnë krahun ambasadores amerikane në Prishtinë mirëpo për zvogëlim të prezencës perëndimore në Kosovë fajtorët jemi të gjithë e sidomos paria dydekadëshe. Kosova ka nevojë për një prani kontinuele perëndimore për fushat që i përmenda edhe për së paku 30-50 vjet të ardhshme.
  6. Pse vetëm Kosova nuk u transformua amerikanisht:
    Mbani mend një gjë – kurrë nuk mund të gjeni një shtet në botë i cili ka pasur mbrojtje e miqësi me Amerikë e mos të përparojë e transformohet ekonomikisht, politikisht, kulturalisht etj. Kjo madje u ka ndodhur edhe atyre shteteve sikurse Vietnamit që ka qenë në luftë me Amerikën. Vetëm Kosova është rasti unik deri tani që nuk e ka përjetuar këtë transformim. Jo për fajin e popullit, kurrë! Ky popull ynë ka artikuluar një postulat teologjik të padëgjuar tjetër në botë: Zoti në qiell – Amerika në tokë. Kurse lideri i gjithë shqiptarëve dhe presidenti i Kosovës dr. Ibrahim Rugova ka shtruar vizionin dhe domosdonë jetike të vendit “miqësi të përhershme me SHBA”.
  7. Lidhjet me islamin politik:
    Shumë prej këtyre që janë qe dy dekada në pushtet ose lidership politik kanë ba shtrat me islamin politik duke ia nisë prej Kosovës, Turqisë, Bosnjes, Maqedonisë dhe vendeve arabe. Për këtë gjë përjashtoj Ramush Haradinaj dhe bazuar në deklaratat e tij edhe Kadri Veselin. Njërin sy që ia keni shkel lidhjeve dhe fuqizimit të islamit politik në Kosovë ka bërë që të rrezikohet rendi demokratik, përcaktimi i laicitetit tonë, mosdurimi i pranisë amerikane në Kosovë etj. Kemi pasur edhe parti politike dhe zyrtarë të lartë shtetërorë që kanë qenë të përzier në këto agjenda sa antiperëndimore po kaq edhe antishqiptare.
  8. As edhe një faltore e as një varr nuk e siguruat:
    Këta “properëndimorët e Kosovës” madje që 20 vjet nuk ia kanë dalë madje as me iu sigurua një faltore ku perëndimorët mund të shkonin për lutje e adhurim, e as vendvarrim atyre perëndimorëve që me testament e kanë lënë që të varrosen në tokën dardane.
  9. Ne ia kemi kthyer pushkën Amerikës:
    Kosova ka pasur numrin më të madh të terroristëve për kokë banori krahasuar me shtetet tjera në Irak e Siri duke luftuar ushtrinë amerikane dhe aleatët perëndimorë. Madje pati edhe plot raste të shqiptarëve të tjerë që ndërmorën sulme terroriste edhe në Amerikë, Britani të Madhe, Gjermani etj. Si i bë që kjo Kosova jonë kaq e vogël? Si u bë që kjo Kosova fëmija i Amerikës? Si u bë që Kosova me shpalljen e miqësisë së përhershme me Amerikën? Si u bë që kjo Kosova e çliruar prej Serbisë nga aleatët perëndimorë të prodhojë kaq shumë luftëtarë kundër amerikanëve në Lindjen e Mesme? Kam dëgjuar nga politikanë amerikanë se Kosova ka dhënë edhe fonde për terrorizëm. Pse askush nuk është marrë me këtë problem dhe s’ka dhanë përgjegjësi. U kam thënë disa zyrtarëve të LVV “ju duke i angazhuar të rinjtë për çështje politike e nacionale faktikisht keni kontribuar që numri i luftëtarëve kosovarë në Lindje të Mesme të jetë më i vogël”.
  10. Përplasjet ideologjike në Kosovë:
    Përplasja LDK-LVV nuk u bë për taksën 100%. Nuk u bë as pse vërtet z. Kurti i rrezikoi marrëdhëniet me SHBA. Unë shoh ma tepër problemin e ideologjisë, paradigmës, frymës, konceptualitetit për shumë çështje, dhe kjo është ndarja më e madhe e vendit dhe e popullit tonë qe 600 vjet. LDK ka një histori përplasjesh ideologjike me majtistët doktrinarë (të kuqtë) dhe ka dalë fitimtare gati çdoherë. Albin Kurti është majtisti doktrinar, teoricieni postmodern, më i formuar dhe më i artikuluar se cilado tjetër figurë shqiptare ndonjëherë. Shumë vende janë të ndara në baza ideologjike a paradigmatike. Se Albini dhe LVV janë të majtë është në rregull dhe nuk paraqet asnjë rrezik për askënd. Ai po duket se është më parimor për momentin se krejt të tjerët. Unë nuk e dua aspak këtë ideologji majtiste. Nuk më pëlqejnë të kuqtë. Albinin nuk e kam votuar kurrë e as nuk e votoj për këtë qëllim, por e respektoj për kompetencën, zellin dhe se është një lider politik i vendit tim. Rryma dhe fryma revolucionare në Kosovë ka qenë në opozitë deri në vitin 1999. LDK fillimisht ka pasur përplasje me LPK si ekstremi i majtë ideologjik, pas një martese 6 vjeçare u ndanë në vitin 1995. LDK ka vazhduar përplasjet me UÇK para, gjatë dhe pas luftës, pra me eksponentët ose “të kuqtë” brenda ushtrisë. LDK ka vazhduar përplasjet ideologjike pastaj me PDK. Me kalimin e kohës PDK formalisht u distancua nga majtizmi por me ikjen e shumë figurave të PDK te LVV dhe Albinin në krye, në Kosovë, kjo parti ia mori primatin majtist PDK dhe u bë protagoniste. Derisa LDK dhe LVV ishin në opozitë pati shenja se përplasjet paradigmatike mund të shmangeshin dhe të mbyllej kjo histori, por ajo që ndodhi u konstatua se lufta apo metoda ideologjike vazhdon së paku si alibia kryesore. Ky është thelbi i problemit. Në këtë lloj lufte unë kam anuar çdoherë me Rugovën dhe me LDK por kjo parti çdo vit po ikë nga rugovizmi dhe larg e më larg vlerave perëndimore dhe prej paradigmës së saj. Mos të mashtrohet më askush se LDK sot për sot është më së paku parti properëndimore. Mendimi im është se LDK luftoi për mocionin me mendje e metoda ekstreme majtiste.
  11. Cilat janë disa vlera të qëndrueshme perëndimore që i kemi ndërtuar në Kosovë pas luftës:
    Mediat ndoshta janë shembulli më i mirë deri tani. Kemi ligje e Kushtetutë të mirë e demokratike. Kemi 4-5 shkolla fillore e të mesme dhe një kolegj perëndimor (amerikane, gjermane, italiane, britanike, finlandeze). Kemi polici shembullore por politika po ndërhyn aty. Kemi FSK e cila mbetet me u pa çfarë ushtrie do jetë. Kemi një katedrale për të cilën pati 100 peripeci derisa u bë. Kemi një komunitet të konsoliduar protestant por pa përkrahje nga shteti dhe komunat. Ju lutem çfarë perëndimoritet tjetër mund të gjeni se kemi ndërtuar në Kosovë 20 vjet e fundit. Improvizime kemi plot! Tek ne është dëshmuar se populli, sidomos shumë të rinj, vetë kanë ndërtuar më shumë vlera perëndimore, duke pasur të afërmit në perëndim, duke ndjekur muzikën, artin, sportin, filmin dhe studiuar jashtë. Në vitin 2007 bëra në komunë të Prishtinës kërkesë për leje ndërtimi të kishës në pronën tonë dhe një përgjigje që më erdhi nga kryetari i atëhershëm ishte se “me ndërtimin e kësaj kishe do të ketë trazira në qytetin tonë dhe është për sigurinë e juaj që të hiqni dorë prej kësaj kërkese sepse do të jeni cak i lehtë për radikalët”. Dhe vetëm në vitin 2017, pra pas 10 vitesh pritje, kur komuna kishte një kryetar nga LVV, na u bë një zgjidhje e mesme, dhe populli e njerëzit e lagjes erdhën duke na uruar, duke sjellë pije, ushqime dhe kurrë nuk pati as edhe më të voglin problem. Ju vetë nxirrni konkluza e vetë bëni analiza se kush po bënte luftën e dyfishtë dhe joparimore ato kohë për këtë pikë dhe kush tallet me Amerikën sapo ua kthen shpinën diplomatëve të tyre.
  12. A ka antiamerikanizëm në Kosovë:
    Po ka! Ai ndahet në dy lloje. I pari është antiamerikanizmi i pavetëdijshëm: ndoshta mbi gjysma e njerëzve në Kosovë janë të bindur se Amerika ka ardhur në Kosovë për shkak të interesave të veta. Çdolloj konspiracioni që del nga ndonjë kuzhinë serbe, nga vendet myslimane dhe ruse shumica e popullit tonë disi i besojnë. Ta shohim antiamerikanizmin e vetëdijshëm: ai buron nga shumica e shteteve myslimane; ai vjen nga paratë serbe dhe ruse; ai vjen aty-këtu edhe nga të majtët europianë. Mori kosovarësh janë pjesë e gjitha këtyre burimeve.
  13. Cili është raporti ynë si shtet me Amerikën:
    Shpesh po thuhet se ne jemi aleat të Amerikës; Amerika është aleati ynë; Amerika është partneri ynë strategjik; Amerika është miku ynë etj. Në rregull janë këtë epitete por ne nuk jemi të barabartë dhe për neve si shtet Amerika është baba ynë o njerëz. Baba!!! Dhe mos të harrohet se Amerika tash ka një qeveri që është tepër shumë kundër majtizmit.
  14. A jemi aleat sipas besa-besë:
    Nga përfaqësimi i pozitës së pastorit kam pasur takime të ndryshme me anëtarë dhe ish-anëtarë të Kongresit, me anëtarë dhe ish-anëtarë të Senatit, ambasadorë e ish-ambasadorë, diplomatë ose ish- diplomatë. Këta kanë dashur të dëgjojnë dëshminë time të besimit dhe shërbesën që bëj. Para 8 vitesh kam dëgjuar prej tyre: gati gjithë liderët kosovarë – me emër e mbiemër – na kanë gënjyer, i kanë shkelur premtimet e dhëna. Ata flisnin sa me ngacmim e sa me “lëndim”: “Kosova nuk është aleate lojale dhe deri në fund e Amerikës për kohë të mira dhe kohë të liga”.
  15. Kush po e tradhton perëndimin në Kosovë:
    Ose kush po na prish me amerikanët? Për kah mospërbushja e vlerave dhe shkelja e premtimeve të gjithë jemi nga pak, ne dhe liderët politikë. Z. Kurti ka qenë transparent nga dita e parë dhe nuk fshehu gjë, dhe të gjithë e kanë ditur si si do të sillet si kryeqeveritar. Pse e bëtë kryeministër? Teologu amerikan me prejardhje nga India Farid Zakarias duke analizuar se pse vendet e Lindjes së Mesme janë shndërruar nga shtete me një demokraci funksionale në vitet 60-ta e 70-ta të shekullit të kaluar në shtete, pushtete, shoqëri dhe grupacione që mbështesin fundamentalizmin islamik, përkatësisht terrorizmin islamik. Ai tha: “religjioni në perëndim sot është një burim i inspirimit shpirtëror dhe jo skemë për jetë të përditshme siç shihet islami në lindje. Liderët laikë të vendeve lindore shpejt e humbën kredibilitetin e tyre në popull dhe nisën të zëvendësoheshin me ideologë islamistë”. Kurse Arbër Xhaferi në shkrimin e tij “Suspendimi religjioz i hyjnores” lidhje me këtë thotë se prej motos “modernizimi i islamit” ndodhi “islamizimi i modernës” për shkak të dështimit të politikanëve. Albini është lideri i ngritur mbi narrativën se politikanët tjerë janë korruptuar. Kjo është e saktë. Pra thirrje për ju o parti politike e politikanë, pendohuni e kthehuni tek Zoti e bëni shtigje të drejta dhe shfrytëzoni rastin që të ngriheni si liderë me vizion për ta transformuar Kosovën tonë të dashur e duke i nderuar dhe duke i ruajtur miqtë tanë, sepse sipas Farid Zakarias dhe Arbër Xhaferit, nëse politikanët vazhdojnë të korruptohen, tani në kontekstin e Kosovës, dhe të vazhdojnë ta dobësojnë e luftojnë njëri-tjetrin atëherë Kosova shpejt një ditë kryetar ose kryeministër mund ta ketë Shefqet Krasniqin.
  16. Mbetet me u ndërtua dhe me u ruajt urat:
    Nëse kemi shemb urat e brendshme dhe të jashtme kemi bërë gabimet më trashanike. Prandaj në fund të fundit për Kosovën nuk ka rëndësi kush është i kuq e kush i kaltër a i portokalltë sesa ndërtimi dhe ruajtja e urave mes nesh së pari e pastaj me miqët tanë ndërkombëtarë.

Psalmisti David duke qenë mbret i Izraelit para 3000 vitesh në një rresht nga Bibla te psalmi 12:8 thotë: “Të pabesët sillen pa u ndëshkuar kudo kur midis bijve të njerëzve lavdërohet e keqja”. Nëse këta liderët që janë përcaktua të jenë për vlerat perëndimore në shtetin tonë nëse nuk i ndëshkojnë keqbërësit tanë dhe nëse nuk kthehen vërtet në origjinë atëherë Zoti një ditë ka me e përdor pikërisht Albin Kurtin që të përmbushet ky varg

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here