Home Lajmet Merr hov plagjiatura në universitetet publike dhe private

Merr hov plagjiatura në universitetet publike dhe private

105
0

Sa i përket cilësisë që ofron Universiteti i Prishtinës, i pari i këtij institucioni, rektori Naser Sahiti, potencon se nëse e krahasojnë me të kaluarën është shumë më mirë, por që thotë se nuk duhet të kënaqen me këtë gjendje.

“Edhe kjo çështje është dinamike, nuk është diçka e mbërrin dhe pastaj duhet ta ruash, por ajo kërko punë të vazhdueshme për arsye se cilësia është diçka që mund të përmirësohet në vazhdimësi pavarësisht gjendjes në të cilën ndodhesh. Ne momentalisht nëse e krahasojmë cilësinë e programeve studimore aktuale është më e mirë sesa që ka qenë në të kaluarën, por nuk është ajo me të cilën ne të themi jemi të kënaqur dhe nuk kemi ambicie për më shumë”, thotë ai.

Plagjiatura është një nga sfidat që po përballen universitet publike në Kosovë, e në funksion të zvogëlimit të kësaj dukurie, rektori i UP-së, Naser Sahiti, thotë se janë duke punuar edhe me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Krijimi i një softueri për detektimin e plagjiaturës, sipas tij do të ndikojë që të zvogëlohet plagjiatura në punimet e studentëve apo edhe të stafit akademik.

“Kjo është një temë që i përcjell të gjitha universitetet, në këtë kuadër natyrisht edhe Universitetin e Prishtinës. Është një çështje që ka qenë brengë dhe vazhdon të jetë edhe më tutje. Ne para ca kohësh kemi provuar që të angazhojmë një kompani të caktuar për të zhvilluar një softuer për parandalim të plagjiarizmit, por procedurat nuk kanë rezultuar të suksesshme. Në ndërkohë e kemi sensibilizuar Ministrinë e Arsimit për këtë problem që ekziston dhe duke e pas parasysh që ky problem nuk është vetëm për UP-në po edhe të gjitha universitetet e tjera publike, kemi kërkuar nga ministria e Arsimit të na ndihmojë në pajisjen me një softuer i cili do të lehtësonte kontrollin në kontekst të plagjiaturës. Nga kontaktet që kemi me ministrinë e Arsimit ata kanë shprehur gatishmërinë edhe kanë futur në planet e tyre, në agjendën e tyre sigurimin e një softueri të tillë në nivel kombëtar. Mendojmë që në këtë formë ne do ta zbutshim dukshëm një dukuri të tillë”, thotë ai.

Ai shprehet se janë të gatshëm që të ndihmojnë Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në mënyrë që të arrihet realizimi i një softueri të tillë.


P.S. – Niveli i ulët i dijeve studimore, ku në programet studimore në universitete publike dhe private nuk ka studim-hulumtim, por interpretim të dijeve të mangëta, studentët nuk kanë arritur që të thellohen në metodologjinë shkencore hulumtuese. Pra, nuk i njohin metodat e njohjes shkencore dhe me këtë as metodat e punimit të një teme të diplomës, kështu që zgjidhjen e gjejnë te plagjiatura edhe duke blerë tema të gatshmë të diplomës në bachelor, master dhe doktoratë! Redaksia/N.B./

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here