Home Kult/Arsim Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) do t’i angazhojë 1.000 mësimdhënës si...

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) do t’i angazhojë 1.000 mësimdhënës si zëvendësim në rast infeksionesh

198
0

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, që të mundësojë angazhimin e 1.000 mësimdhënëseve me pagesë për vitin e ri shkollor, që pritet të fillojë më 1 shtator.

Angazhimi i këtyre mësimdhënësve, sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, duhet të vlejë vetëm gjatë kohës së pandemisë së koronavirusit.

Enver Osdautaj, këshilltar i lartë politik në kabinetin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, tha për “Rel”, se ky numër i mësimdhënësve duhet të jetë si staf rezervë në rast të infektimit me koronavirus apo izolimit të mësimdhënëseve të rregullt.

“Ne kemi kërkuar angazhim të rregullt të mësimdhënësve më gjysmë pagesë, vetëm për periudhën e pandemisë. Kemi kërkuar nga Qeveria që të mbështes me 1.000 mësimdhënës si staf rezervë dhe staf teknik, varësisht nga nevojat. Këta mësimdhënës do të punojnë vetëm në rrethana pandemie. Këta janë mësues plotësues për të plotësuar nevojat varësisht prej situatave që vijnë dhe shpërndarja e tyre në nivel shteti bëhet në bazë të numrit të nxënësve nëpër drejtori komunale të arsimit”, tha Osdautaj.

Rritjen e stafit të personelit arsimor, për fillimin e procesit mësimor e ka kërkuar edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës.

Ymret Reshiti, kryetar i këtij Këshilli, tha se përveç infektimit të mundshëm me sëmundjen COVID-19 të mësimdhënëseve, stafi i ri duhet të ndihmojë edhe në rast të marrjes së vendimit për ndarjen e nxënëseve në dy ose tri klasa.

“Do të thotë mos të jetë barrë e një mësimdhënësi që të punojë në një klasë në tri grupe, sidomos e kemi fjalën për ato klasa që kanë numër të madh të nxënësve”, tha Reshiti.

Përveç kërkesës për 1.000 mësimdhënës shtesë më pagesë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka kërkuar edhe nga Universiteti i Prishtinës, konkretisht nga Fakulteti i Edukimit, që studentët të ndihmojnë në mbarëvajtjen e procesit mësimor.

Këtyre studentëve do u njihet praktika, proces ky që është obligim për përfundimin e fakultetit. Ndërsa, Dekani i Fakultetit të Edukimit, Ethem Çeku, para 10 ditësh, për Radion Evropa e Lirë, ka treguar gatishmërinë e këtij fakulteti, për të ndihmuar Ministrinë e Arsimit në procesin e mësimit.

Skenarët për fillimin e vitit të ri shkollor

Ndryshe, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka përgatitur tre skenarë të ndryshëm për fillimin e vitit të ri shkollor, në kohë pandemie: Skenari A- rikthimi në ambientet shkollore të nxënëseve, Skenari B – mësimin e kombinuar dhe Skenari C – mësimi nga platforma të ndryshme.

Por, ende nuk është vendosur në mënyrë konkrete për ndonjërin, vendimi për këtë varet nga situata epidemiologjike në vend, thotë Osdautaj duke shtuar se te shumica e drejtorive komunale të arsimit, janë të gatshme të fillojnë me kthimin e nxënëseve në shkolla.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here