Home Extra Problemet shëndetësore që shoqërojnë kohën e pubertetit

Problemet shëndetësore që shoqërojnë kohën e pubertetit

211
0

Puberteti është ajo periudhë e jetës, gjatë së cilës djemtë dhe vajzat në rritje i nënshtrohen procesit të maturimit seksual.

Mjekja Ilda Xhelili tregon se puberteti përfshin një sërë ndryshimesh fizike që çojnë si përfundim në arritjen e aftësisë për të lënë pasardhës (fertiliteti).

Gjatë periudhës së pubertetit kemi zhvillimin e karakteristikave sekondare, karakteristikave fizike që lidhen me femrat dhe meshkujt e rritur (të tilla si rritja e qimeve në zonën gjenitale, apo të sqetullave). Përderisa puberteti përfshin një sërë transformimesh biologjike dhe fizike, procesi mund të ketë gjithashtu një efekt në zhvillimin psiko-social dhe emocional te adoleshentët.

Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuara etapat e zhvillimit të pubertetit tek secila gjini, duke identifikuar edhe rastet në të cilat duhet të kërkoni ndihmë mjekësore.

Kur ndodh puberteti?

Fillimi i pubertetit ndryshon midis individëve. Tek vajzat ndodh zakonisht midis moshës 10 dhe 14 vjeç  ndërsa tek djemtë, zakonisht ndodh pak më vonë, ndërmjet moshës 12 dhe 16 vjeç. Në kohët e fundit vajzat adoleshente po e arrijnë moshën e pjekurisë më herët se sa e arrinin më parë. Ndikimet e faktorëve ushqimorë dhe faktorëve mjedisorë mendohet të jenë përgjegjëse për këtë ndryshim.

Për shembull në vitet 1900, mosha mesatare e fillimit të menstruacioneve tek vajzat ishte 15 vjeç, kurse në vitet 1990 kjo mesatare ra në 12 vjeç. Koha e fillimit të pubertetit akoma nuk është plotësisht e sqaruar dhe ndikohet nga një numër faktorësh. Arritja e një peshe të caktuar mund të luajë gjithashtu një rol në fillimin e pubertetit.

Po ashtu ndikon edhe rritja e obezitetit të fëmijëve në kohët e fundit. Nga qelizat yndyrore prodhohet një substancë e quajtur “leptinë”, e cila mendohet si një ndërmjetës i mundshëm për përcaktimin e kohës së fillimit të pubertetit. Vajzat me përqendrime të larta të leptinës hyjnë më herët në pubertet. Përqendrimi i leptinës në gjak është i njohur të rritet pak para pubertetit si tek vajzat ashtu edhe tek djemtë.

Nga pikëpamja hormonale, është hipotalamusi (zone e trurit) ai që çliron hormonin gonadotropine, i cili në të njëjtën kohë sinjalizon hipofizën për çlirimin e hormonit LH (luteinizues) dhe hormonit folikulostimulues FSH, të cilët janë përgjegjës për zhvillimin seksual. Gjithashtu, ka të ngjarë që në përcaktimin e kohës së fillimit të pubertetit të përfshihen edhe faktorët gjenetikë.

Cilat janë ndryshimet fizike që ndodhin gjatë pubertetit tek vajzat dhe djemtë?

Ndryshimet që ndodhin gjatë kësaj periudhe kanë zakonisht një model të njohur tipik për djemtë dhe për vajzat. Në shumicën e vajzave, shenja e parë është fillimi i zhvillimit të gjirit, që ndodh zakonisht rreth moshës 11 vjeç. Në këtë kohë fillon dhe rritja e qimeve në zonën gjenitale dhe të sqetullave.

Mund të fillojë pastaj të kemi zhvillimin e gjoksit. Ndërsa fillimi i menstruacioneve ndodh zakonisht rreth dy vjet e gjysmë pas fillimit të pubertetit.

Shumë shpejt zhvillohet dhe ovulacioni i rregullt (pjekja e vezëve) që korrespondon me arritjen e fertilitetit (mundësisë për të ngelur shtatzanë). Tek djemtë, me fillimin e pubertetit kemi zmadhimin e testikujve që fillon rreth moshës 12 vjeç dhe zgjat afërsisht 6 muaj. Pas zgjerimit të testikujve rritet edhe penisi në madhësi. Faza tjetër është rritja e qimeve në zonën gjenitale dhe të sqetullave.

Gjatë kësaj kohe zëri bëhet më i trashë dhe muskujt rriten dhe forcohen. Si fazë e fundit mbetet shfaqja e qimeve të fytyrës. Fertiliteti arrihet tek meshkujt pak më vonë, kur rritja e hormonit testosteron shkakton prodhimin e spermës.

Pubertetin e shoqëron zakonisht për të dy gjinitë rritja e gjatësisë së trupit. Kjo rritje e shpejtë në lartësi zakonisht zgjat dy deri në tre vjet. Megjithëse rritja ndikon si tek trungu, ashtu edhe tek gjymtyrët zakonisht kemi rritjen në gjatësi të gjymtyrëve. Tek vajzat zakonisht kjo rritje i paraprin fillimit të menstruacioneve.

Po ndryshimet që ndodhin me eshtrat cilat janë dhe a përbëjnë ndonjë rrezikshmëri?

Puberteti shoqërohet gjithashtu edhe me rritjen e eshtrave dhe rritjen e dendësisë së kockave si rezultat i rritjes së mineralizimit të tyre gjatë kësaj periudhe. Studimet kanë treguar se rritet gjerësia e kockave së pari, pasuar nga përmbajtja minerale dhe së fundi densiteti i kockave.

Për shkak të vonesës (mospërputhjes në kohë) midis rritjes së kockave dhe arritjes së densitetit të plotë kockor, adoleshentët mund të jenë të rrezikuar për fraktura gjatë kësaj periudhe (thyerje kockore). Ndaj duhet të tregohet shumë kujdes në këtë fazë.

Sa i takon ndryshimeve në peshë çfarë mund të themi?

Gjatë kësaj periudhe kemi gjithashtu ndryshime të peshës trupore. Vajzat adoleshente zhvillojnë më tepër shtresat yndyrore sesa djemtë, me përqendrim në zonën e bustit dhe të vitheve. Kurse djemtë gjatë kësaj periudhe zhvillojnë më tepër masat muskulore.  Deri në fund të pubertetit, djemtë kanë një masë muskulore rreth një herë e gjysme më shumë se ajo e vajzave me masë të krahasueshme.

Ndryshime të tjera gjatë pubertetit përfshijnë maturimin e sistemit kardiovaskular dhe të frymëmarrjes duke rezultuar në rritjen e kapacitetit të punës së këtyre organeve, të shoqëruara me një rritje të përgjithshme të qëndrueshmërisë dhe fuqisë. Këto ndryshime janë më të theksuara tek djemtë se sa tek vajzat.

Cilat janë ndryshimet emocionale gjatë kësaj periudhe të jetës?

Si djemtë, ashtu edhe vajzat mund të përjetojnë ndryshime emocionale që shoqërojnë ndryshimet e panumërta fizike të pubertetit. Këto ndryshime nuk janë njësoj për gjithë adoleshentët, shumë adoleshentë përjetojnë ndryshime të humorit, ankth, konfuzion dhe ndjeshmëri.

Nga ana tjetër, jo të gjitha ndryshimet emocionale lidhen me mendimet negative ose ndjenja të mërzitshme. Puberteti është gjithashtu një kohë kur i riu mëson për interesat dhe qëllimet e tij, ose të saj dhe mëson të lidhet me të tjerët në një mënyrë më të matur.

Ndërkohë që disa ndryshime emocionale janë pjesë normale e pubertetit, është e rëndësishme të kërkohet ndihme mjekësore nëse këto ndryshime emocionale janë jashtëzakonisht të rënda, dhe që ndikojnë në cilësinë e jetës së përditshme, ose rezultojnë në mendime për të dëmtuar veten, ose të tjerët.

Cilat janë problemet shëndetësore që shoqërojnë kohën e pubertetit?

Duhet të theksojmë se puberteti është një gjendje normale dhe jo një sëmundje. Megjithatë, disa probleme shëndetësore janë të lidhura me pubertetin.

Mjaft të shpeshta gjatë kësaj kohe janë aknet (puçrrat me qelb) që janë inflamacion (infeksion) i gjëndrave dhjamore dhe rrënjëve të flokëve të lëkurës. Këto janë më të theksuara në fytyrë, por mund të shfaqen edhe në qafë, shpinë, kraharor, etj. Ndryshimet hormonale  gjatë kësaj periudhe çojnë në zhvillimin e akneve tek shumë djem dhe vajza adoleshente.

Problem tek djemtë është “gjinekomastia” një term ky i përdorur për të përshkruar zgjerimin e gjinjve tek meshkujt. Edhe ky është një fenomen i përkohshëm si rezultat i ndryshimeve hormonale dhe zakonisht zgjat 6 deri në 8 muaj.

Tek vajzat adoleshente fenomeni më i zakonshëm është anemia si rezultat i humbjes së gjakut përmes menstruacioneve, por edhe sepse vajzat e kësaj moshë kanë tendencë të konsumojnë pak ushqim për një pamje “më të bukur” sipas mendimit të tyre (për më shumë elegancë).

Nëse adoleshentët bëhen seksualisht aktivë në pubertet, ata rrezikojnë për sëmundje seksualisht të transmetueshme (HIV, sifilizi, gonorrhea) pasi vërtet fillon pjekuria seksuale në këtë moshë, por realisht janë fëmijë dhe informacioni për problemet seksuale nuk ka nivelin e duhur.

Studimet kanë treguar se gjatë kësaj periudhe ka mundësi të zhvillohen probleme me sytë (myopia më shpesh) dhe probleme muskulo-skeletike. Në kohët e sotme po ndeshemi gjithnjë e më tepër me pubertetin e parakohshëm dhe shkaktarët mbeten akoma të pasqaruar plotësisht.

Ndërsa në shumë raste, shkaku i saktë i pubertetit të parakohshëm nuk mund të përcaktohet, në një numër të vogël të rasteve ky lidhet me anomalitë e vezoreve, ose të testeve, me sëmundje të gjëndrave tiroide, problemeve gjenetike, tumore, infeksioneve, ose dëmtimeve të trurit.

Prandaj në rastin e pubertetit  të parakohshëm, duhet të bëjmë një analizë të hollësishme mjekësore. Por, puberteti mund të jetë edhe i vonuar dhe kjo është më e shpeshtë tek djemtë sesa tek vajzat. Kjo shpesh ka karakter familjar. Zakonisht pas kësaj vonese vjen zhvillimi normal i adoleshentëve. /DITA/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here