Home Dikur/dje dhe sot/ Rrëfime urbane nga qyteti i Gjilanit/Aty ku dikur isha nxënës, shkolla “Musa...

Rrëfime urbane nga qyteti i Gjilanit/Aty ku dikur isha nxënës, shkolla “Musa Zajmi” dhe heroi i harruar…!

122
0

Udhëtim në kohë…

Viti 1961. Isha fëmija i dytë nga pesë sa ishim në familje. Vëllai im Mehmeti kishte lindur me 1953, ishte gjenenrata e parë në Shkollën Fillore “Musa Zajmi” në Gjilan. Mësimet i kishte filluar në Shkollën Fillore “Vuk Karaxhiq”, pastaj nxënësit janë transferuar në shkollën “Musa Zajmi”.
Isha duke luajtur në rrugë pranë shtëpisë së Devajve në Çarshi mëhallë. Prindi me vëllaun tim më dërguan pa palajmërimi në shkolle. “Bërtimat e mia i trazonin edhe mjegullat e pakta në qiell!”. Më regjistruan në paralelet më mësim në gjuhën turke, te mësuesja Sebahate Mahmuti, e cila ishte nga Ohri, e martuar për Mahmut Mahmutin, farmacistin e njohur gjilanas. Mësimdhënësja Sebahate ishte femra e parë me fakultet në Gjilan. Në qytet e quanin “Sebahat hanmi”, e burrin e saj e quanin “Mahmut efendi”. Ishin njerëz me autoritet në mesin e gjilanasve.
Pas tre muajve erdhi një mësues trupgjatë, i dobët me syza, na transferuan në një klasë tjetër: mua (Shevqetin), Muharrem Gashin, Shemsedin Dautin, Mejreme Dindar dhe Enver Novobërdaliun. Në klasë flitej shqip, kështu fillova mësimin në gjuhën shqipe pasi tre muaj mësimi ishte në gjuhën turke. Tani mësues ishte ‘mulla’ Feridi, i cili shtëspinë e kishte në Çiflik ‘mëhallë’, rrugë e njohur si “7 korriku”, nr. 49.

Leximin dhe matematikën i kam ditur pa shkue në shkollë, në paralelen shqipe kisha probleme në disa shkronja, por shpejt i tejkalova. Mësuesi Ferid na jepte detyrë me mbledh xhama nëpër qytet, duke programuar se me shitjen e tyre do të shkojmë në piknik në ndonjë qytet.
Në vitin e tretë, ‘mulla’ Feridi u shpërngul në Prishtinë, erdhi Reshat Shaqiri, një mësimdhënës me gjuhë të ëmbël komunikimi. Lëndët në gjuhë serbokroate deri në klasën e VI ishin muzika, bazat e teknikës, gjuha serbokroate, amvisnia. Mësuesja Kovilka më merrte në shtëpi me mësue piano. Drejtor ishte Vllasta Todoroviq. Në mes të orëve të dytë dhe të tretë na ofrohej ushqim, zakonisht krofne të nnxeta që i përgatiste “tetka” Zora. Kohë pas kohe në oborrin e shkollës vinte ‘autobusi’ që na fotografonte mushkëritë me na i shikue a kemi TBC. Për mirëmbajtjen e shkollës ishin axha Fuad, axha Fazli, Ratki, Bozha, pastaj axha Islam.

Në fund të klasës së tretë erdhi mesimdhënës Sinan Gashi, i cili ishte rigoroz, pastaj Hatixhe Selimi. Kështu për katër vite kisha pesë mësimdhënës. Në kohë të lirë luanim futboll në oborrin e shkollës, unë (Shevqeti), Skënderi, Muhameti, Rifati, kishim pasion të madh për sport. Para shkollës, brenda oborrit ishte shtëpia e Ekrem Kolës, me një dud (pemë me fruta të buta) përpara. Shkolla kishte kontekst pronesor me Ekrem Kolën, pasi kërkonte të largohet ajo shtëpi që ishte me vite aty.
Shumica e nxënësve të kësaj klase ishin nga mëhalla ime: Shema, Samiu, Skënderi, Afrimi, Fehmiu, vajzat Fetije, Azemine, Fahredini me motrën, Hatixheja. Ishim si një familje. Pas mësimit përsëri luanim në oborrin e shkollës. Ismet Shkodra, kur na ikte topi në oborrin e tij, na prente atë, e ne mezi i tubonim paratë (dinarët) për ta blerë. Afër ishte oborri i Sreqkit, plotë pemë, e ku ne fëmijët hynim për të ngrënë ndonjë mollë ose vishnje.


Mësimi prej klasës së pestë deri në të tetën kaloi si era, shumë mesimdhënës, shume lëndës mësimore. Për gjuhën shqipe mesimdhënës e kishim Rafet Bajramin, për gjeografi – Bafti Baftiun, biologji – djalin e axhës, Shyqën. Në ditën e shkollës fëmijët përgatiteshim të vizitonim varrin e Musa Zajmit në Livoç të Epërm. Nënat na përgatitnin ushqim për atë ditë. Ishte eufori shpirtërore si vullkani ‘La Palma’.
Në vitin 2000 me profesorin tim, Rifat Shabanin, vizituam varrin e heroit Musa Zajmi. Ishte mjerrim, pa përkujdesje, me pllakë të thyer, me një pemë afër, copat e pllakës së varrit të shpërndara!. I tubuam të gjitha në një vend, i vendosëm te koka e heroit. Ishte moment dhembjeje, pash ne vehte funksionin e demagogjisë së njeriut. Dikur krenar me të, shkolla mban emrin e tij, e sot rrugës i largohet emri i tij, varri thyhet e demolohet. Erdha në Gjilan i dëshpëruar.

Nga motivi që këtu e kam kryer shkollën, fëmijet e mi i pata regjistruar në këtë shkollë. Në vitin që do të vie, mbesa Ela do të jetë në këtë shollë.
Para disa dite vizitova shkollën “Musa Zajmi”, aty ku isha dikur nxënës, më shoqëroi drejtori i saj. Shkova në klasën ku kam mësuar turqisht, pastaj në klasen ku kam mësuar shqip. U ula në të njëjtin vend ku ishte banka dikur, emocionet vluan si llava e vullkanit. Nëse e mohon të kaluarën, shkruaje një fjali të re, kështu flasin futuristët. Gjilanasit thonë “eja vakt, shko vakt!”. /Rrëfim i dr. Shevqetit, botuesi i gazetës: N.B./

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here