Home Udhëtim/Fotografi Udhëtim në fshatrat Letnicë, Vërnakollë, Vernez e Shashare të Vitisë: Takova dy...

Udhëtim në fshatrat Letnicë, Vërnakollë, Vernez e Shashare të Vitisë: Takova dy pleq, gjeta shtëpi të zbrazëta, pa dritë, pa dyer e dritare, pa jetë…

345
0

Kjo zonë e bukur e banuar me popullatë kroate ishte braktisur, edhe fshatrat dukeshin të shkreta.
Kronisti ynë dr. Shevçeti bërë një udhëtim në fshatrat e banuara me popullatë kroate në komunën e Vitisë, por atje kishte gjetur vetminë në shtëpitë
pa njerëz dhe harresën ndaj këtyre banorëve të urtë e punëtorë, që tashmë ishin larguar.

Në udhëpërshkrimin që sjell doktori nga kjo zonë dëfton se nga qindra shtëpi që kishte secili nga këto katër fshatra, sot nuk ka jetë, sepse njerëzit u larguan duke mos pasur kushte jete, rrugë e dora e pushtetit dhe e shtetit nuk arriti këtu.

Dr. Shevçet Mehmetit i vinte keq që këto fshatra kishin përfunduar në këtë gjendje, pasi ai ka kryer specializimin për urologji në “Rebro” të Zagrebit dhe ka përvoja shumë të mira nga atje.

Që kur ishim fëmijë kishim dëgjuar për Letnicën, për ditën “Zonja cërnagore” që mbahej në Letnicë, ku njerëzit shkonin pa dalime nacionaliteti e besimi fetar. Shkonin për lutje, për me kërkue shërim nga sëmundjet, e për të shëruar sterilitetin, shkonin fëmijë e të rritur, nëna e vajza, gra dhe burra…, atë ditë bëhej festë e madhe në Letnicë.

“Takova dy pleq, gjeta shtëpi të zbrazëta, pa dritë, pa dyer e dritare, pa jetë…”, tregon dr. Shevçeti dhe vazhdon kronikën për atë që kishte parë…

Udhëtimi këtu kishte pasur vetëm një drejtim!

Viti 1967, gusht, posa kisha kryer klasën e 7 të fillorës. Fëmijët e ‘Çarshi mëhallës’ ditën e kalonim në rrugë ose në bazenin olimpik që ishte të Banja e qytetit, te vendi i quajtur “Te plepat”, aty ku është burimi i ujit ‘Banja’. Afrohej data e 15 gushtit. Islam Baruti na tregoi se do të shkonte në Letnicë, pasi ishte dita e “Zojës cërnagore”. Ne fëmijet nuk kishim inofrmata, por ai na tregoi se aty tubohen disa ditë shumë njerëz, është plotë, si në panaxhyrin e Gilanit, se njerëzit luten në kishën e Letnicës për sëmundje të ndryshme. Disa fëmijë të mëhallës vendosëm të shkojmë në Letnicë, pasi nuk kishim para për autobus u nisëm në këmbë. Disa udhëtonin me karroca me kuaj, disa shkonin me autobusin “Dubrava”. Shkonin të rinjtë, pleqët, burrat, gratë në grupe me dhe pa fëmijë. Nuk e dinim sa është lalrg Letnica, nuk kishim ndonjë njohuri që na motivon për të shkuar.
Por u nisëm. Kur arritëm në Letnicë, në ballë qëndronte kisha masive me ngjyrë të bardhë në bregore, në anën e djathtë ishin disa dhoma si han ku vendoseshin disa familje. Skaj lumit kishte plotë karroca të parkuara, çadra të shumta të vendosura, hulaja që sillej për argëtimin e fëmijëve. Ramizi dhe Islami ikishin vënë skarat për të pjekur mish dhe suxhuk. Kishte shqiptarë të fese islame, romë që dominonin për kah numri, serbë. Popullsia vendase e Letnicës ishte tërësisht kroate. Ne fëmijët ishim kureshtarë duke shikuar se si prifti i njohur i asaj kohe dr. Emil Krajinoviq i kryente ritualet, jo vetëm për popullsinë katolike, por nga të gjitha besimet kërkonin ndihmë për sëmundje, kundër sterilitetit, për fëmijët që ishin me aftësi të kufizuara. Hulajat nuk ndaleshin, erë suxhuku vinte aty përreth. Shumica e shtëpive ishin nga guri, të palyera, por të ngjyrosura me gëlqere të bardhë. Në mes fshatit kalonte lumi, skaj lumit shume mbeturina te hedhuara nga pjesëmarrësit e manifestimit.


Kështu deri në vitin 1981. Më vonë nuk isha në Letnicë, nuk kisha informata për fshatrat tjera të banuarë me kroatë. Sa qëndrova katër vite në Zagreb u informova se në Samobor dhe Treshnjevke është mëhalla e janjevalinjve dhe letnicasve të shpërngulur. Ata më treguan për të kaluarën e tyre në fshtratat Vërnaokollë, Vernez e Shashare .Pas kthimit nga Zegrebi dis herë vizitova Letnicën, por jo edhe fshatrat tjera. Shumica e shtëpive në Letnicë ishin dy katëshe, të ndërtuara me gurë, ndërsa brenda ishte një varfëri e theksuar, ku shumica merrej me bujqësi, ishin besnik ndaj bësimit dhe kishës që e vizitonin çdo ditë.

Në Letnicë, sokaqet ishin të ngushta. Frrokun (kroat) që e kishte mullirin e vizitova disa herë, ku në mulli punonte plaku Mate, ky mulli dikur kishte qenë pronë e kishës. Pas mullirit ishte katarakta me ujë qe e vizitova mbi 50 herë duke bërë foto të shumta. Prej vitit 1985 deri 1999 kam hy në çdo shtëpi letnicase, brenda errësirë, drita hynte nga dritaret e vogla, në disa vende shihej hambari me gardhiqe, ne disa vende hambaret ishin plotë me drithëra.

Me 1987 e operova Mate Matiqin nga Shashara. Ai kishte katër hektarë tokë. Letnica me 1948 kishte pasur 295 shtëpi, me 1981-760 shtëpi, me 1991 kishte pasur afër 4000 banorë, ndërsa në vitin 2008 – 44 shtëpi, kryesisht me pleq. Pas vitit 1999 shumica ishin shpërngulur në Kroaci, ndërsa në disa shtëpi kroate ishin vendosur banorët e Maqedonisë në periudhën pas vitit 2002. Me 2015 djalit tim Varisit i propozova temën e magjistratures “Shtëpitë nga guri në fshatin Letnicë”, qe e mbrojti me 2018, me qëllim që të nxitet turizmi fetar dhe natyror, që të nagjellet ky rajon i bukur. Me 2018 fshati Shashare, nuk kishte rrugë të mirë, mbet pa banorë, pasi vdiq edhe Mate që la pas 4 hekterë tokë, kurse anëtarët tjerë u shpërngulën ne Zagreb. Para se të afrohesh në Letnicë, në anën e majtë, afër restorantit është rruga për Vërnaokollë dhe Vernez, rrugë e pashtruar, me gropa e gremina. Kështu arrihet në Vërnaokollë ku jeton një familja e të moshuarve me 2 anëtarë. Këtu shtëpitë janë të shkatërruara, të mbuluara me therra, ku shihen vetëm disa vrima dritaresh pa qelq, me dhoma të braktisuara dhe pa asnjë dritë, asnjë tel elektriku.


Dy pleq kroat flasin njëri me tjetrin. Me 1948 Vërnaokolla kishte pasur 73 shtëpi me 446 banorë, me 1981- 137 shtëpi me 885 banore, sot dy të moshuar jetojnë në një fshat. Perballë në kodër qëndron Stublla me shtëpi moderne.
Shashara me 1948 ka pasur 141 shtëpi me 703 banorë, me 1981- 245 shtëpi me 1606 banorë, sot pa asnjë njeri. Ndërsa, Vernezi merr frymë me një njeri, i cili ditën dhe natën shikon qiellin i vetmuar, duke iu lutur! Dikur me 143 shtëpi dhe 926 banorë, sot me rrugë të pashtruar, ku me 15 gusht banori i vetmuar pret vendasit e vet nga Kroacia të vijnë të vizitojnë fshatin e lindjes.

Fshatrat dikur te banuara me kroatë, sot zgjojnë frikë për t’i vizituar nga therrat që kanë mbuluar dyert dhe dritaret, ku rruga për Vernez, Vërnakollë, Shashare fol vetë se dikush këto fshatra i ka lënë në harresë, dhe ai që i ka lënë nuk mendon për njeriun, për jetën e tij.

Me 18 tetor 2020 vizitova Frrokun (kroat) e plakur në shtëpi që ishte me harresë të madhe (demention), kishte dy vajza që mbanin restorantin “Dubrovnik”. Frroku atë ditë hiç nuk më njohu, i ofrova ndihmë urologjike, por nga ai nuk dëgjova asnjë fjalë. Ishte nisur për atë botë, vetëm priste momentin e largimit si Mate në Shashare, dy pleqet në Vërnaokollë dhe plaku i vetmuar në Vernez. Një botë në heshtje, e kapluar nga vetmia e madhe dhe harresa.

Jeta ka ngyrat e veta, por këtu po dominonte ngjyra e zezë, pa kolorit, errësira kishte vendosur mbretërinë e vetë! Këtu dielli kishte harruar njeriun. Këtu rrugët çojnë me një drejtim! U betova që me 15 gusht më asnjëherë nuk do t’i vizitojë këto fshatra të braktisura e të harruara nga dora njerëzore. Pasi e kaluara e shndëritshme e këtyre fshatrave ishte me ngjyrë të zezë sot. As rrugë, as jetë, as mbështetje nuk kishte pasur për këto fshatra të banuara me popullatë kroate. Pse?! Ndoshta dikush do t’i uzurpojë pronat, ndoshta dikush do t’i blejë me çmim të imponuar! Aspak njerëzore…

Udhët nuk mbarojnë kurrë, por udhëtimet pa kthim janë më të vështira e më të rënda!

/Udhëpërshkrim i dr. Shevçetit, përgatiti dhe redaktoi për shtyp: Nexhat Buzuku/

/Arenapress.info/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here