Home Extra Video inçizimet në komunikacion – qytetarët ndihmojnë policinë…

Video inçizimet në komunikacion – qytetarët ndihmojnë policinë…

57
0

Aksidentet e fundit por jo vetëm, i kanë shtyrë Policinë e Kosovës të ndërmarrin veprime drejt shtrëngimit të masave për shoferët që ngasin pa kujdes.

/Shkruan: Skender Berisha/

Pa drejtuar akuzat drejt Policisë apo autoshkollave, duhet drejtuar gishtin nga vetja!

Sa jemi të kujdesshëm ne si shoferë gjatë ngasjes?

Kohët e fundit vërejmë edhe një shtim të publikimit të video inçizimeve në rrjetet sociale të ngasësve që bëjnë tejkalime dhe shkelje të rreullave të komunikacionit dhe, në të njejtën kohë, vërejmë edhe pakënaqësitë e qytetarëve ndaj shoferëve të tillë që rrezikojnë jetët e tyre.

Është interesante edhe reagimi i qytetarëve ndaj atyre që bëjnë publike apo bëjnë inçizimet nga veturat e tyre nëpërmjet kamerave statike apo edhe telefonave të tyre. Po të shohësh në komentet e tyre vërejmë edhe shoferë që nuk janë fort të kënaqur me këto publikime, sepse nga rutina që kanë krijuar për të mos respektuar rregullat e komunikacionit i kanë shtyrë ata që të ndalojnë nga kjo rutinë, pasiqë tanimë nuk dihet se kush të bën një video dhe publikon ato, përderisa je duke shkelur rregullat dhe më pas denimi vie nga policia atëherë kur nuk e pret fare.

Këto rregulla janë të lejuara dhe praktikohen edhe në botën perendimore, dhe së fundi edhe në Kosovë ky veprim i qytetarëve po zë vend.

Na ka rastisur të gjithëve të dëgjojmë se në botën perendimore të gjithë qytetarët luajnë rolin e “policit”, të gjithë janë aktivë në mbrojten e rregullave dhe interesave të qytetarëve, në identifikimin e personave që kryejnë ndonjë veprim kundërligjor, apo janë akterë të ndonjë ngjarje e kështu me radhë.

Siç shihet, edhe në Kosovë ka filluar një rregull i ri i pashkruar në mendjen e qytetarëve, të gjithë kanë filluar të shohin me kujdes për veprime që janë në kundërshtim me ligjet dhe jetën shoqërore, ka filluar të instalohet vetvetiu një kulturë e re e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut, një kulturë që mbron jetën e qytetarëve, një kulturë dhe civilizim që i jep përparësi jetës kundrejt vdekjes, një manifestim që rezulton me shpëtim të jetës nga një reagim shoqëror.

Këto adresime dhe publikime duhet të kenë një trajtim sa më serioz nga policia dhe gjyqësori, e që më pas kjo shoqëri e cila po ecën drejt emancipimit të kalojë në një stad tjetër duke e respektuar edhe masën më të vogël të ndalesës, dhe duke e konsideruar jetën e tjetrit si gjënë më të shtrejtë jo vetëm për familjen e tij të ngushtë, por edhe për tërë shoqërinë në përgjithësi.

Ky popull kaq bujar, me vlera të larta morale dhe etike, me karakteristika të veçanta, i ndjeshëm dhe shumë human, me rininë e saj që tjerët i’a kanë zili duhet ruajtur dhe kultivuar ditë për ditë, duhet shtuar kujdesin secili individualisht që ky trend i aksidenteve nga pakujdesia që po vret familjes tona të minimizohet maksimalisht. Pra, të krijojmë një kulturë në komunikacion që një ditë këto ngjarje të kobshme mos të zënë vend në mediat dhe portalet tona me humbjet e jetëve të qytetarëve tonë në vende të ndryshme: në punë, gjatë vozitjes, gjatë organizimeve të ndryshme e kështu me radhë.

/Foto nga arkiva e gazetës, qershor 2021, e para përballë shkollës teknike dhe e dyta përballë shkollës së muzikës, në Gjilan/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here