Home Extra Vlerësohet lartë vepra e organizatorit të Teatrit të Gjilanit, Raif Hazirit –...

Vlerësohet lartë vepra e organizatorit të Teatrit të Gjilanit, Raif Hazirit – ‘Spira’

80
0


Gjilan, 11 prill 2021 – Nën organizimin e Zyrës së Kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, sot është mbajtur mbledhje komemorative me rastin e ndarjes nga jeta të organizatorit dhe inspicientit të Teatrit të Gjilanit Raif Haziri – ‘Spira’.
Drejtori i Teatrit, Erson Zymberi, në fjalën e tij lamtumirëse në këtë mbledhje ka thënë se veprimtaria e Raif Hazirit është e pashlyeshme dhe përcjellëse e të gjitha aktiviteteve teatrore, artistike dhe shoqërore në Gjilan.

Ai ka potencuar se Spiro, ishte një artist në vete, që në vazhdimësi me angazhimin e tij ka bërë që tek të gjithë ata që e kanë njohur të mbetet me kujtime të mira, i dashur, i sinqertë dhe i vendosur për të punuar në funksion të cilësisë sa më të lartë të organizimit pavarësisht se në cilën fushë a zhanër ishte ai.
Ndërsa, Sabedin Shahiqi, një punëtor me karrierë të gjatë në teatër, si aktor, e artdashës ka kujtuar momentet e para kur Raif Haziri kishte ardhur në Teatër dhe gatishmëria e tij para 42 vitësh për të kontribuar dhe punuar në skenën dhe rolet e ndryshme nëpër shfaqje.
Shahiqi, mes tjerash tha se sot Gjilani ka më pak një artdashës dhe një punëtor që ishte i përpiktë dhe i vendosur të kryente detyrën e tij të cilën e bënte me shumë nderë.
Ndërkohë që Naser Zymberi, aktor e regjisor në shumë shfaqje, ka thënë se ‘Spira’ ishte dhe do të mbetet i afërt i të gjithë artistëve pa dallim se prej nga ishin ata.
“Ai kishte gatishmërinë dhe sinqeritetin e pafund që të jetë gjithmonë në krye të detyrës, i gatshëm për të dhënë kontributin e vet në të gjitha nismat që kanë të bëjnë me teatrin apo me aktorët dhe artistët në përgjithësi. Të gjithë ne e kujtojmë dhe të tillë do ta mbajmë në zemrat tona, me buzëqeshjen, afërsinë dhe punën që ai ka bërë në vazhdimësi”, ka thënë mes tjerash ai.
Raifi Haziri ishte organizator dhe inspicient i Teatrit të Giilanit i cili deri në momentet e fundit të jetës së tij me dashuri e përpikmëri i shërbeu insititucionit.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Haziri në të cilin thuhet:
“E nderuara familje Haziri,
Me pikëllim të thellë e mora lajmin për ndarjen e papritur nga jeta të organizatorit të Teatrit të Gjilanit, Raif Haziri.
Kjo është një humbje e madhe për këtë institucion të kulturës, pasi Raifi punoi me përkushtim të jashtëzakonshëm për katër dekada, si aktor, organizator e inspicient i Teatrit të Gjilanit, deri në frymën e fundit.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes Haziri, shokëve, kolegëve e komunitetit artistik.
Lamtumirë, miku im i shtrenjtë!”, thuhet në telegramin e kryetarit Haziri.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here