Home Extra Zejtarët e Gjilanit me shumë vullnet e ruajnë traditën e qytetit dhe...

Zejtarët e Gjilanit me shumë vullnet e ruajnë traditën e qytetit dhe i japin vlerë jetës urbane /Ju prezantojmë: Shaban Pajaziti – këpucar/

80
0

Përmes punës që bëjnë këta zejtarë lidhin dy kohët dhe stilet e mbathjes që kanë ndryshuar nëpër vite.

Në rubrikën “Ju prezantojmë” këtë herë kemi përzgjedhur zejtarët e qytetit të Gjilanit, të cilët me punën e tyre i japin vlerë jetës urbane dhe e ruajnë traditën e qytetit.
Prej vitesh në këtë rrugë në qendër të qytetit, ngjitas me sheshin e qytetit, punojnë disa zejtarë, ndër ta edhe këpucari Shaban Pajaziti.

Pajaziti ka nisur këtë zeje para 32 vitesh, 11 vite në Bujanoc, ndërsa prej 21 vitesh punon në këtë zeje në qytetitn e Gjilanit. Që në moshë të re ka nisur zanatin e këpucarit.
Thënë të vërtetën, thekson Pajaziti, më pëlqen kjo zeje dhe kurrë nuk më është mërzitur, pasi jam i lidhur me te prej fëmijërisë.

Ai tregon se është i kënaqur me interesimin e njerëzve, edhe të meshkujve dhe femrave për të arrnuar, ngjyrosur, zgjeruar këpucët, çizmicet, patikat e të tjera qepje lëkure.
“Secili ka shijen e vet në mbathje, vajzat e reja sjellin edhe këpucet e stileve të dikurshme që kanë bartur motrat apo nënat e tyre për t’i rregulluar; sjellin edhe modele të reja për t’i riparuar ose bërë ndërhyrje të tjera”, thotë Shabani.

Ai në dyqan ndihmohet nga djali i tij, i cili e ushtron në plotëni zanatin e babait, madje bën punën e zejes së këpucarit edhe pa praninë e babait të tij, Shabanit. Tregon sei pëlqen kjo zeje, por është i ri nuk i dihet të ardhmës. Megjithatë, shprehet i riu, më mirë të njohësh një zeje krahas shkollimit.

Pajaziti thotë se nga kjo zeje siguron të ardhurat mesatare për të siguruar ekzistencën, megjithëse çmimet e punës që bëjmë nuk i kemi rritur, ndërkohë që të gjithë artikujt e konsumit familjar janë shtrenjtuar.
Në dyqan vijnë porosi të ndryshme, ndërsa nuk kapërcehen as modelet dhe stilet e dikurshme të mbathjes.

“Këtë zeje nuk e ndërroj me asgjë”, – shprehet Pajaziti, teksa me qetësi dhe kulturë të jashtëzakonshme pune në dyqanin e tij, jo larg qendrës e sheshit të qytetit, shikon porosinë e radhës që duhet ta kryej. /Foto dhe teksti: Nexhat Buzuku/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here